LAJMI I FUNDIT:

Çarmatoset Garda e Republikës

Çarmatoset Garda e Republikës

Të gjithë nënoficerëve të Gardës së Republikës nuk do të lejohen më të mbajnë armët e shërbimit në shtëpi. Kjo ka qenë kërkesa e kreut të Gardës, Gramoz Sakos, i cili ka kërkuar që nënoficerët e Gardës së Republikës të dorëzojnë armët në repartin përkatës pas përfundimit të shërbimit.

Lajmin e ka bërë të ditur Agjencia Telegrafike Shqiptare, duke iu referuar një burimi në Ministrinë e Brendshme. Kjo kërkesë, e cila është kthyer tashmë në një vendim, ka tri ditë që ka nisur të zbatohet.

Sipas burimeve, urdhri prek një numër shumë të madh punonjësish të Gardës, pasi pjesa më e madhe janë nënoficerë, por ai nuk prek oficerët, të cilët, ashtu sikurse më parë, do të kenë të drejtën e mbajtjes së armës dhe pas përfundimit të shërbimit ditor sipas detyrës.


Ky urdhër i dhënë për dorëzimin e armës nga ana e nënoficerëve të Gardës në fund të orarit të shërbimit është në kuadër të përpjekjeve për të reformuar Gardën, por dhe për të parandaluar përdorimin e armëve të shtetit jashtë orarit nëpër ambiente private. Sakaq, ky urdhër është pjesë e reformës që po realizohet në Gardën e Republikës.

Pak ditë më parë edhe vetë ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, u shpreh se po fillon procesi i reformës në këtë institucion, ndoshta më i rëndësishmi në 85 vjetët e ekzistencës së këtij institucioni.

Garda e nuk do të ekzistojë më si e tillë dhe brenda 100 ditëve do ketë përfunduar procesi i reformimit, për t’i dhënë jetë Drejtorisë së Ruajtjes së Personaliteteve dhe Objekteve të Rëndësisë së Veçantë, e cila nuk do të varet nga ministria. /Telegrafi/