LAJMI I FUNDIT:

Buzë rrugës

Kaluan pranë nesh me vetura që syri ynë s’i kishte parë deri atëherë. Na shikuan ndanë rrugës dhe me përbuzje, na shpërfillën. Në atë përbuzje, më të kthjellëtit nga ne vërejtën se kishte fajësim. Një fajësim pse nuk pranonim perënditë e reja. Kur po largoheshin me vrull, na lëshuan edhe një shikim që na ngriu. Nuk ndaluan fare të na përshëndesnin dhe të na uronin lirinë, të cilën deklaronin se e kishin sjellë. Pas tyre u ngrit një re pluhuri që ende, edhe sot, nuk është shpërndarë. Mushkëritë tona janë mbushur me atë pluhur dhe ne ende jemi buzë rrugës duke pritur.

Kur kolona e tyre arrogante ishte zhdukur, pamë të vinin ndërmjetësit. Edhe këta pretendonin se kishin sjellë lirinë. Me fytyra të zbehta nga pasiguria, me vetura të vjetra dhe me pamje tmerri që u shkaktonte vonesa prapa kolonës së parë, nuk u ndalën e as na shikuan fare. Duke u orientuar me pluhurin që çonte kolona e perëndive të tyre të pakontestueshme, nxitonin frikshëm. Duke parë përbërjen e tyre, prapë trupat tanë aty buzë rrugës shtangën. Disa që kishin ngritur duart lart t’i përshëndesnin, i ulën me shpejtësi dhe shikuan me çudi njëri-tjetrin.

Kur menduam se vargani kishte përfunduar, pamë se drejt nesh po vinte një kolonë tjetër. Ishin në këmbë, nuk ishin shumë, por për tmerrin dhe mosbesimin tonë, shihnim se numri i tyre shtohej nga këta që prisnin me ne buzë rrugës. Me xhaketa të vjetruara, me fytyra të parruara, me këpucë të shqyera, por – çuditërisht – me pamje megalomane, kjo kolonë u ndal te ne. Grupe gjysmë-të-shkolluarish, mediokriteti i të cilëve spikaste nga larg, grupe stalinistësh e enveristësh rishtas të zbuluar, grupe qyqesh politike dhe idealistësh të vonuar e të padëshmuar kurrë, pseudointelektualë dhe mësues alla-Afërdita-përsëri-në-fshat u ndalën te ne, sikur ndalet mësuesi te banka e nxënësit që nuk i ka kryer detyrat e shtëpisë.

Me fytyra, ku ishte vizatuar qortimi dhe një figurë false e superioritetit, ata provuan të na japin leksion aty buzë rrugës. Si prindër të djemve plangprishës, filluan të na japin ligjërata për patriotizmin, kombëtarizmin, lirinë dhe demokracinë. Pastaj, mbajtën fjalime pompoze për figura që janë personifikime të tyre. Shumë shpejt, ligjërata e tyre rrëshqiti në diktat se kënd duhet ta duam, kush janë heronjtë tanë, kush e solli lirinë, kush është patriot dhe kush është tradhtar. Ishte e lemerishme përpjekja e tyre që të na bindin për një histori, të vërtetat e së cilës vetëm ata i dinin. Për fund, duke u nxehur biseda, ata na hodhën lloj-lloj baltërash pse nuk kishim përcjellë kolonën e parë dhe të dytë, pse nuk po duartrokisnim dhe brohorisnim për ta, pse nuk përuleshim para sakrificës dhe madhështisë së dy kolonave të para.

Të zënë ngushtë dhe të frikësuar nga ky diskurs, për të cilin kishim menduar se ka perënduar, ne nuk bëmë zë. Ulëm kokën dhe i lamë sharlatanët të na qortojnë dhe të na japin mësim. Disa nga ne, që me gjysmë zëri thanë se ne kishim mendimin (dhe dyshimin) tonë për dy kolonat e para, iu nënshtruan një ligjërate tjetër të pafund dhe boshe nga “ideologët” e lirisë. Kur panë se fjalitë e zbrazëta të një kohe që kish prodhuar tragjeditë më të mëdha të njerëzimit, nuk kishin ndikim në ata, që ishin mësuar të mendonin me kokën e vet, na kërcënuan se do të na lajmëronin te kolona e dytë, madje-madje ndonjëri nga ta tha se kishte lidhje edhe me kolonën e parë. Të dërmuar nga ky kërcënim, ne nuk vazhduam më tepër. “Komisarët” e rremë na kaluan afër dhe duke ëndërruar një vend në kolonën e dytë (se për të parën, mendjet e tyre primitive nuk kishin aspirata), humbën nga sytë tanë.

Kaluan vjet dhe ne mbetëm aty buzë rrugës. Në baltë dhe në pluhurin që na e hidhnin në fytyrë kolonat e veturave, që bëheshin çdoherë me të shndritshme, por më të errëta, ne po zbeheshim, po veniteshim e po vdisnim. Tani i shihnim rrallë, por na vinin fjalë se kolona e parë ishte konsoliduar në Olimp dhe ishte vështirë t’i shihje më, pa qenë shërbëtor i besueshëm i tyre. Kolona e dytë tashmë ishte forcuar shumë dhe kryenin shumicën nga “punët”. Njerëzit flisnin se edhe shumë nga “intelektualët” e kolonës së tretë tanimë ishin akomoduar mirë në kolonën e dytë dhe po kryenin shumë “vepra heroike”. Kryesorja nga këto vepra ishte t’i detyronin njerëzit t’i duan pjesëtarët e kolonës së parë. Problematike, megjithatë mbetej se gjatë përshkrimit, kolona e tretë çalonte shumë. Shumicën prej “titanëve” të kolonës së parë, xhuxhët e kolonës së tretë nuk i kishin parë kurrë.

Dhe papritmas, tashmë të mësuar me baltën në këmbët tona, derisa po përtypnim lajmet nga Olimpi, një kolonë e re u ndal buzë rrugës. Filluan t’i shajnë krejt kolonat e mëparshme dhe e bënin këtë me një entuziazëm të tillë, që na bëri të ngritnim kokat tona të përgjumura dhe të shkundim pak baltë nga këmbët që po na kalbeshin. U afruam të shikonim me drojë, sikur njerëzit parahistorikë që ishin afruar te zjarri i shkaktuar nga rrufeja. Por, zhgënjimi ishte i plotë. Edhe pse shumica ishin të rinj, diskursi ishte po ai i kolonave tjera. Shanin, kritikonin, klithnin kundër kolonave tjera, por ne çuditërisht pamë se ata janë nga i njëjti soj enveristësh, maoistësh dhe anarkistësh që na kishin kaluar afër më herët. Ndryshimi ishte në një nuancë. Ata po klithnin kundër të parëve për të vetmen arsye: kishin dështuar të na detyronin t’i duam. Këta të fundit, thoshin me plot siguri, do t’ia arrinin kësaj. Dhe do të na hiqnin nga kjo baltë për të “ndriçuar” jetën tonë në një baltë tjetër kibucësh, me punë “vullnetare” kooperativash, me seminare bolshevike, orgji anarkike dhe dashuri orwelliane për Vëllain e Madh.

Natyrisht, edhe këtyre iu uruam rrugë të mbarë dhe s’deshëm ta ndërrojmë një baltë me një tjetër. Kur ende nuk ishte shuar zallamahia e tyre, pamë pjesën e mbetur të kolonës së tretë duke u kthyer nga Olimpi. Ata që s’kishin qenë mjaftueshëm servilë, ata që s’kishin qenë poltronë të rehatshëm, ata që nuk ishin treguar ideologë të denjë të zhdukjes së çdo gjëje normale në këtë shoqëri ishin përzënë nga atje “lart”. Edhe më herët na kishin thënë se klasa e dytë – ajo e ndërmjetësve – ishte forcuar aq shumë sa që po shporrte nga Olimpi edhe ato pak mbetje të çdo gjëje që bile pak kishin lidhje me çështje shkolle, intelektualizmi apo kulture.

Të dërrmuar, të dëshpëruar, të pluhurosur, të hallakatur dhe “të iluminuar” tashmë, ata po kthehen nëpër të njëjtën rrugë, nga kishin shkuar me zhurmë, brohori e tamtame. Të shqelmuar nga idhujt e tyre të deridjeshëm, me fytyra të lodhura, me zbrazëti shpirtërore dhe me entuziazëm të shuar, ata po vinë te ne. Ne, të plogësht, të qullët e statikë, si gjithmonë, dalim dhe i presim. U japim guxim e shpresë për dëshpërimin e tyre dhe na ngushëllojnë për kalbjen tonë. Megjithatë, çuditërisht dhe çmendurisht, duke shfrytëzuar mirësinë dhe harresën tonë, fillojnë e na kritikojnë pse nuk ishim treguar mjaft vigjilentë në lidhje me kolonën e parë dhe të dytë (sic!).

Me lemeri në fytyrat tona të nxira, shikojmë njëri-tjetrin. A s’ishin këta që na kaluan pranë dhe s’lanë gjë pa na thënë pse nuk i deshëm dy kolonat e para?! A s’ishin këta që na fyen për dyshimin tonë?! A s’ishin këta, nga të cilët ne duhet të ulnim kokën?! A nuk na përbuznin edhe këta?! A nuk frikësoheshim edhe nga ta?! A s’ishin këta që, duke qëndruar në supet e të tjerëve, për shumë vjet kishin vrarë çdo gjë humane në ne?! A s’ishin këta që kishin vrarë shpresën tonë?!