LAJMI I FUNDIT:

Bukuria e një grimi të kombinuar

Bukuria e një grimi të kombinuar

Një flok i gjatë, me trajtimin e duhur ju bën të dukeni më të bukur. Ndërsa një zbukurim i kombinuar hijeshon fytyrën tuaj.

Floku i gjatë

Kujdesi për flokun e gjatë fillon që me lyerjen. Ngjyra që preferohet më shumë në këtë periudhë është kafe me nuancat e saj si; kafe e errët, e hapur, ngjyrë çokollatë me fije “bumerak”.


Në modë është përdorimi i teknikës së nxjerrjeve të fijeve që dalin në formën e shiritave. Nuk janë më në modë fijet e shumta në të gjithë kokën por fijet e theksuara në formë shiriti që në gjuhën e parukierisë quhen “Flash”. Emërtimi vjen lidhur me kontrastin që krijojnë me pjesën tjetër të flokut. Nuancat e “bumerakut” kryesisht janë në ngjyrë, bezhë, platini, të kuqe, në ngjyrë të florinjtë.

Ky trajtim mund të bëhet në flokun e gjatë por edhe atë të shkurtër. Një formë e tillë floku shoqërohet me një truk të lehtë të nuancave të ngjyrës kafe. Moda e fundit e trukut janë ngjyra të afërta me ngjyrën e flokut.

Nëse moda është kafe edhe tualeti i syrit variron po në këtë kolor. Pjesa e nënposhtme e vetullës zakonisht bëhet në kolorin e errët të flokut, ndërsa lyerja e bishtit të syrit duhet të harmonizohet dhe të kombinohet me kolorin e fijeve- shirit.

Buzët me konturë të lehtë floriri dhe i kuqi i buzëve në ngjyrë kafe të lehtë e shkëlqyese. Për pjesën e mollëzave të faqeve, ndryshe e quajtur pjesa “ ruzh” këshillohet të përdoret krem pudër gjithnjë e kombinuar me lyerjen e buzëve dhe ngjyrën e flokut.

Floku i shkurtër

Një tjetër prerje praktike dhe që nuk kërkon kujdes maksimal është prerja e shkurtër e flokut, me shkallëzim të theksuar. Kolori mund të jetë në ngjyrën kafe, në nuanca të ndërthurura të kafes, në vishnje, në të zezë me nuancë vishnje ose blu.

Por, zakonisht aplikohen nuancat e hapura ose të errëta të ngjyrës kafe. Një prerje praktike si për vajza të moshës së re ashtu dhe për femra që janë amatore të flokut të shkurtër. Kjo prerje përshtatet në çdo veshje dhe shoqërohet me një makiazh tepër të lehtë.

Floku me onde

Ndryshe nga floku i drejtë, floku me onde, i shkurtër apo i gjatë qoftë ai, gjithmonë ka nevojë për një trajtim më të kujdesshëm. Këtë gjë ju mund ta realizoni lehtësisht dhe të bëheni profesionistë në trajtimin e tyre të përditshëm.

Në qoftë se pas lyerjes flokut i bëjmë një larje shumë të mirë dhe ky proces shoqërohet me “ Final color”, i cili duhet të përdoret gjithmonë pas lyerjes, do të shohim se floku, edhe në ditët më pas, do të ketë një ngjyrë më të qartë, më të ëmbël. Për flokun me onde këshillohet përdorimi i shkumës së flokut që i mbron nga rrezet e diellit.

Në përgjithësi për flokun e lyer, të gjatë, të shkurtër, të drejtë apo me ond, këshillohet krem flokësh që përdoret pas larjes.

Si të bëjmë një grim të bukur

Së pari mënyra e trukimit varet nga forma e fytyrës, kolori i flokëve dhe veshja. Pra, janë shumë detaje që duhet të merren parasysh përpara se të bëjmë një grim. Dhe, ajo pjesë që ka më shumë rëndësi dhe që bie më shumë në sy është syri. Për fytyrat ovale, me sy të mëdhenj në formë bajame nuk këshillohet përdorimi i grimit të thjeshtë.

Por gjithnjë përpara se të bëhet një grim duhet të kesh vendosur se cila do të jetë veshja jote. Pra, ai bëhet në këmbimin me flokun dhe veshjen.

Është tepër e rëndësishme që para të të bëjmë grim të bëhet fillimisht pastrimi i fytyrës me late- tonik. Më pas mbi fytyrën tuaj vendosni kremin. Mangësitë që dalin nga kremi dhe njollat e ndryshme që mund të ndodhen në sipërfaqe, eliminohen me anë të korrektorit. Pasi bëhet korrektimi i fytyrës përdoret “Make-up” në nuancat kafe, ngjyrë bronzi si dhe në kolore më të hapura.

“Make-up” mbulon defektet e fytyrës, nofullat e dala, ballin e madh, mjekrën e gjatë. Eliminimi i tyre vjen si rezultat i dritëhijes nga përdorimi i tij. Make-up dhe pudra vendosen në të gjitha pjesët e fytyrës, edhe në buzë. Kjo krijon lehtësi në lyerjen përfundimtare, të buzëve, syrit, të “ruzh-it” të faqeve. Pra, është i nevojshëm në theksimin e tyre. Në këtë mënyrë jeni gati për të filluar me grimin.

Grimi i syrit

Fillohet me një ton të lehtë poshtë vetullës. Me nuancë të bardhë në të verdhë të lehtë. Më poshtë, në formë harku, përdorni një nuancë në ngjyrë gështenjë, me dritë-hije në të hapur. Me një penel të ujshëm kalojmë theksimin e pjesës së rrënjës së qerpikut për të vazhduar më pas me rimelimin e qerpikëve.

Mund të përdorni rimel “Mascara” me “qime” të veçanta që realizojnë zgjatjen e qerpikëve. Këshillohet të mos përdoret kthyesja e qerpikëve pasi ajo këput dhe shkul qerpikun. Kjo realizohet në të gjithë qerpikun dhe afër rrënjës së tyre vendoset një nuancë e kaftë.

Përdorimi i lapsit në pjesën e brendshme tregon një pamje më të zvogëluar të syrit natyral. Ndërsa vënia e tij në pjesën e jashtme realizon zmadhimin e tij.

Grimi i buzëve

Një konturë i lehtë ngjyrë të kaftë në të errët, dhe i kuqi i buzëve mund të jetë një nuancë më e çelur. I lëngshëm e me pak shkëlqim. Më pas bëhet dhe shkëlqimi i mollëzave.

Theksojmë edhe një herë që buzët, shkëlqim i mollëzave dhe kolori i flokëve bëhen në kombinim me njëra-tjetrën sigurisht të gjitha këto në përshtatje me formën e fytyrës dhe me veshjen./Telegrafi/