LAJMI I FUNDIT:

Bregu në Beograd: Kosova nuk është Serbi e Shqipëri, por vetëm Kosovë!

Bregu në Beograd: Kosova nuk është Serbi e Shqipëri, por vetëm Kosovë!

E ftuar në konferencën “BE dhe Ballkani Perëndimor pas Brexit”, e cila u mbajt në Beograd, Majlinda Bregu ka cekur disa probleme që kohët e fundit kanë tronditur rajonin, para së gjithash në marrëdhëniet shqiptaro-serbe.

Ajo ka thënë se vendet e rajonit kanë aq shumë probleme sa nuk mund të ngelen peng i së kaluarës dhe para të ftuarve të tjerë ka theksuar se Kosova nuk është as Serbi e as Shqipëri, por vetë Kosovë.


“Njerëzit e përfshirë në politikë s’duhet të përdorin tone të zbutura, tone rozë duke fshehur të vërtetat poshtë rrogozit, në një kohë kur vetë situata aktuale nuk është e tillë”, ka thënë kryetarja e Komisionit të Integrimit në BE.

“Përveç ftesës nga kryenegociatorja e Serbisë, arsyeja tjetër pse sot jam këtu është bindja ime se ajo që na bashkon e ato që duhet të ndërtojmë mund të realizohen vetëm nëpërmjet dialogut dhe transparencës. Që ta realizojmë na duhen mendje të ftohta dhe zemra të ngrohta e jo e anasjelltas. Pas Brexit, marrëdhënia e Ballkanit Perëndimor me BE është bërë totalisht e pasigurt”.

Bregu beson se asnjë problem i Ballkanit Perëndimor apo i vetë Europës nuk mund të zgjidhet vetëm, qoftë siguria, refugjatët, problemet ekonomike apo radikalizmi islamik.

“Zgjedhja që kanë politikëbërësit perëndimor është ose të njohin legjitimitetin e këtyre nevojave dhe të ndryshojnë rrënjësisht qasjen e tyre ose të vijojnë me politikën aktuale dhe të rrezikojnë rinovimin e konflikteve. Konflikti, frika, kërcënimi dhe provokimi janë rrezik për të ardhmen europiane të të gjitha vendeve të Ballkanit perëndimor. Sot ka dy raste të juridiksionit kombëtar. Një rasti Haradinaj, tjetri i trenit. Nëse dërgohet një tren me shkrimin Kosova është Serbi kjo nuk është një punë e madhe, po çfarë vlerë ka të bëhet kjo? Është fuqia e simboleve”, u shpreh deputetja e PD-së.

“Ka një gardh, një tren dhe një urdhër arresti që nuk janë në frymën e dialogut Beograd-Prishtinë dhe që po vënë në rrezik arritjen historike të Ballkanit Perëndimor: Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Kosova nuk është Serbi, Kosova nuk është Shqipëri. Kosova është Republika e Kosovës që nga viti 2008. Ballkani s’mund të jetojë me skemat e konflikteve se këto të lenë peng të së shkuarës e jo së ardhmes”, shpjegoi Bregu.

“I vetmi gardh që vendet tona duhet të kenë është zbatimi i ligjit. Nëse duam që rajoni jonë të ketë peshë, duhet të jemi bashkëpunues e jo luftëtar. Kufijtë ndërrohen vetëm me luftë, jo në paqe. Lufta nuk është kurrë zgjidhje. Ballkani jeton sot nën kërcënimin e sigurisë, gjendjes ekonomike, radikalizimit të islamit. Nuk mund të shtojmë edhe kërcënimin e së shkuarës”, deklaroi Bregu. /gsh/