LAJMI I FUNDIT:

BQK fajtore për shërbimet e shtrenjta të bankave

BQK fajtore për shërbimet e shtrenjta të bankave

Çdo qytetar i Kosovës paguan deri në 2 euro sa herë deponon mjete në ndonjërën nga bankat në Kosovë. E nëse kryen ndonjë transfer prej bankës në bankë, paguan tarifë prej 5 eurove.

Tarifave astronomike si këto u ka ndihmuar edhe Banka Qendrore e Kosovës falë një vendimi që e ka marrë në fillim të vitit 2016-të, për t’i rritur tarifat e shërbimeve ndaj bankave komerciale, shkruan Gazeta Fjala.


Gazeta Fjala posedon dokumente që dëshmojnë se krejt kjo ka ndodhur për t’i mbuluar shpenzimet e punëtorëve të rinjë, të cilët i ka punësuar me ardhjen në krye të këtij institucioni guvernatori, Bedri Hamza.

Shpenzimet e BQK-së varen nga të hyrat që ky institucion merr nga tarifat për shërbimet që ua kryen bankave dhe kompanive të sigurimeve.

E kjo dëshmohet edhe në raportet financiare të këtij institucioni. “Rritja e të hyrave vjen nga rritja e tarifave në shërbime nga 01 Janar 2016. Rritja e tarifave është e mbështetur në ligjin për BQK-në dhe në analizën e kostos për shërbimet përkatëse. Po ashtu edhe në vlerësimet se rritja nuk ndikon në tregun e shërbimeve financiare”, thuhet në raportin e Pasqyrave Financiare të BQK-së për tremujorin e 2016-së, një kopje të te cilit e ka siguruar Gazeta Fjala.

Kështu falë këtij vendimi të hyrat e BQK-së nga tarifat dhe ndalesat me 31 mars 2016-të arritën në 427 mijë e 606 euro. Kjo është mbi 100 mijë euro më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur të hyrat ishin 314 mijë e 103 euro.

Në këtë raport BQK thotë se rritja e tarifave ndaj bankave komerciale nuk ka reflektuar në tregun financiar.

“Nëse shikojmë tarifën bazë për transaksione normale dhe masive normale përmes sistemit ndërbankar të pagesave ajo është mesatarisht 12 cent ndërsa mesatare e bankave komerciale është 1.36 euro”, thuhet aty.

Por Gazeta Fjala ka krahasuar tarifat e bankave komerciale për shërbimet ndaj qytetarëve dhe ka dalë se në disa raste ato janë rritur e në disa raste tjera kanë mbetur të larta.

Zëdhënësi për media në Bankën Qendrore të Kosovës, Besnik Kada, ka thënë për Gazetën Fjala se vendimi për rritjen e tarifave për bankat komerciale, nuk ka ndikuar tek tarifat e bankave ndaj qytetarëve.

Sipas tij, BQK-ja nuk vendos dhe nuk ndikon në vendosjen e çmimeve për shërbime bankare të bankave komerciale, pasi siç thotë ai “bankat kanë të drejtë të çmimvënies së produkteve dhe shërbimeve të tyre, dhe klienti është ai që mund të zgjedhë bankën apo institucionin financiar bankar për kryerjen e shërbimeve të tij”.

“Tarifat bankare varen nga kosto e shërbimit të ofrimit të produkteve bankare, kështu që ato lëvizin varësisht nga kostoja e ofrimit të shërbimit të tyre. Bankat janë duke punuar në aspekt të ngritjes së edukimit të klientëve drejtë shfrytëzimit të kanaleve elektronike të bankave, te cilat ne mënyrë lehtësojnë kryerjen e transaksioneve dhe zvogëlimin e pagesave me para të gatshme”, thotë Kada.

Shfrytëzimit i kanaleve elektronike të bankave dhe hyrja e institucione të reja financiare jo-bankare të cilat merren me pagesa dhe shërbime sipas Kadës ka bërë që qytetarët të kryejnë shumë transaksione me kosto më të lirë.

Mirëpo ai nuk është përgjigjur në pyetjen e Gazetës se cila ka qenë arsyeja e këtij vendimi të BQK-së.

Përgjigja e tij në këtë pikë ka qenë përgjithësuese.

“Nuk mund të konkludojme se tarifat e shërbimeve bankare të bankave që i kryen për to BQK-ja, ndikojnë në atë se bankat kanë ngritur shërbimet, kështu që qytetarët dhe klientët kanë mundësi përzgjedhje të kryerjes së shërbimeve edhe në institucione tjera alternative, të cilat i kemi potencuar më lartë”, ka thënë ai.

Gazeta Fjala ka krahasuar ndër vite tarifat për shërbime ndaj bankave komerciale. Përveç që nuk janë ulur, në vitin 2016-të këto tarifa kanë arritur nivelin më të lartë që nga paslufta.

Kështu për çdo deponim në bankë që bëjnë qytetarët shumica prej bankave në Kosovë aplikojnë tarifë 2 euro. Për çdo tërheqje të parave nga ATM 0.15 cent, ndërsa nga tërheqja e parave të gatshme në bankë, disa banka kanë tarifa deri në tri euro, varësisht prej shumë së tërhequr.

Për çdo transfer nga një llogari në llogarinë e dikujt tjetër, klientët në raste paguajnë deri në 5 euro tarifë. Kaq paguhen edhe për transfere nga njëra bankë në bankën tjetër.

Nga krahasimet vërehet edhe gama e gjerë e tarifave pothuajse për çdo shërbim. Siç është rasti nxjerrjes së gjendjes në bankë për vizë ku klientët paguajnë deri në 2 euro e gjysmë. /Gazeta Fjala/Telegrafi/.