LAJMI I FUNDIT:

BQE: Eurozona, më shumë reforma

BQE: Eurozona, më shumë reforma

“Rritja ekonomike në eurozonë vazhdon të jetë e dobët dhe mbi aktivitetet ekonomike vazhdon të rëndojnë pasiguria dhe përpjekjet për përmirësimin e bilanceve në institucionet financiare”. Kështu thuhet në buletinin e janarit të Bankës Qendrore Evropiane, sipas të cilit në gjysmën e dytë të vitit 2013 pritet një rimëkëmbje graduale.

Buletini sugjeron gjithashtu se duhen ndërmarrë me shpejtësi reforma strukturale shtesë për ta bërë ekonominë evropiane më fleksibël, më dinamike dhe më konkurruese. “Reformat në tregjet e mallrave dhe shërbimeve janë jetike për të nxitur konkurrencën, ndërkohë që duhen edhe masa për përmirësimin e funksionimit të tregjeve të punës”, thotë më tej buletini.

Banka Qendrore Evropiane u kërkon gjithashtu vendeve anëtare të Eurozonës që të ndërmarrin hapa të mëtejshëm përpara në ripërtëritjen e financave publike.


Vetë kreu i BQE-së, Mario Draghi, në konferencën e parë për mediat për 2013-ën, tha se situata është përmirësuar, më e keqja ka kaluar dhe se inflacioni përllogaritet të jetë nën 2 për qind për këtë vit.

Megjithatë, Draghi pranoi se reformat e deritanishme të qeverive evropiane ishin të pamjaftueshme dhe njoftoi se rritja ekonomike në bllokun 17-anëtarësh ishte e dobët. /Telegrafi/