LAJMI I FUNDIT:

Bota nuk u shkatërrua, por “Gangnam Style” arriti një miliard (Video)

Bota nuk u shkatërrua, por “Gangnam Style” arriti një miliard (Video)

Në datën mjaft të përfolur 21.12.12 bota nuk u shkatërrua, por një parashikim doli. Megahiti i Psy, “Gangnam Style”, arriti shifrën prej një miliard shikimesh në faqen e shpërndarjes së videove, YouTube.

Astrologu, i cili ka bërë disa parashikime kureshtare dhe të sakta (bombardimi i Hiroshimës dhe Nagasakit, Revolucioni Borgjez Francez, uragani Katrina, vrasja e Kennedyt, sulmi i 11 shtatorit 2001, vdekja e princeshës Diana etj.), Nostradamus, në vitin 1555 pati shkruar “Nga mëngjesi i qetë, do të vijë fundi, kur nga kuajt e vallëzimit, numri i rrathëve do të bëhet nëntë”.

Duke zbërthyer këtë thënie të parashikuesit francez, janë bërë krahasime me suksesin e këngës së jugkoreanit. “Mëngjes i qetë” përfaqëson ideologjinë Lindore koreane. Pastaj ‘qetësia’ sugjeron se kjo është një shfaqje jo e dhunshme dhe e padëmshme që do të përqafohet dhe adhurohet nga njerëzit. Po ashtu, po flasim për një vallëzim të thjeshtë që ngulitet në mendje, që u ngjan momenteve të kalërimit të kalit, pikërisht çka parashikon Nsotradamusi në tekstet e tij.


Kjo valle i “çmendi” njerëzit në internet, saqë “Gangnam Style” tejkaloi një miliard shikime në YouTube. Fakt tjetër interesant është se shifra një miliard i ka nëntë zero dhe zero është në të vërtetë një rreth. Pra, ato nëntë rrathë i referohen numrit të shikimeve në YouTube.

Dhe “profecia” u realizua pikërisht në datën 21 dhjetor 2012, kur videoklipi zyrtar i “Gangnam Style” arriti shifrën historike 1 000 000 000.

Disa që flasin për kataklizmin thonë se Nostradamusi e ka parashikuar fundin e botës duke përshkruar shenjat paralajmëruese, por jo edhe datën e saktë dhe se ai kurrë nuk kishte gabuar. Me gjasë, rekordi i “Gangnam Style” mund të jetë vetëm një nga shenjat paralajmëruese? /Telegrafi/