LAJMI I FUNDIT:

Bllokohen prodhimet “Made in Kosova” në Shqipëri

Bllokohen prodhimet “Made in Kosova” në Shqipëri

Klubi i Prodhuesve të Kosovës (KPK) shprehë shqetësimin për trajtimin e prodhimeve ‘Made in Kosova’ në tregun e Shqipërisë. Sektori i prodhimit në Kosovë është gjenerator kryesor i zhvillimit ekonomik dhe punësimit, si i tillë është sektori më strategjikë që do ta fuqizon shtetësinë e Kosovës.

Andaj, mosrespektimi i marrëveshjeve ndërshtetërore si dhe bllokimi i produkteve ‘Made in Kosova’ në tregjet e Shqipërisë është dëmtim i shtetësisë së Kosovës.
Klubi i Prodhuesve të Kosovës është organizatë që në vazhdimësi punon në avancimin dhe rritjen e shkëmbimit tregtarë në mes dy vendeve. Qëllimi kryesor i KPK-së është të promovon prodhimet ‘Made in Kosova’.


“Duke marrë parasysh që KPK-ja punon në mbrojtjen e interesit të prodhuesve të Kosovës, ne publikisht kërkojmë që të ndalet bllokimi i prodhimeve të Kosovës në tregun shqiptarë. Është e pakuptimtë që disa vite me radhë gjatë sezonit të bllokohet patatja përmes tarifave të padrejta, është e pakuptimtë që në pikun e sezonit turistik të akuzohet birra e Kosovës për evazion fiskal. Këto veprime janë thjesht mjet presioni për të zvogëluar eksportin e Kosovës në Shqipëri”, theksohet në komunikatën e KPK-së.

“Ne besojmë që institucionet e Shqipërisë kanë shënuar progres dhe deri në një masë janë duke i zbatuar ligjet dhe rregullat në fuqi, mirëpo ka ende raste ku prodhuesit kosovarë po dëmtohen për shkak të neglizhencës apo bllokimit nga grupet e ndryshme të interesit. Ne fuqimisht besojmë në funksionimin e tregut të lirë, ku mbi të gjitha konsumatori vendos në bazë të kualitetit dhe çmimit. Nuk mund të dëmtohet konkurrenca duke shkelur mbi rregullat e tregut të lirë, me shpifje dhe fabrikim të fakteve”.

Klubi i Prodhuesve të Kosovë apelon tek institucionet e Shqipërisë që të trajtojnë prodhimet e Kosovës konform rregullave dhe të aplikohen procedurat preferenciale duke marrë parasysh interesin strategjik dhe kombëtar që ka shkëmbimi tregtarë në mes të dy vendeve. /Telegrafi/