LAJMI I FUNDIT:

“Besimi letrar”, ndërmarrje studimore në fushë të letërsisë

“Besimi letrar”, ndërmarrje studimore në fushë të letërsisë

Libri i Muhamet Hamitit me ese letrare, “Besimi letrar”, doli sot nga shtypi në botim të Shtëpisë Botuese “Parnas” të Prishtinës. Më poshtë mund të lexoni “Parathënien” e librit si dhe shënimet për librin dhe autorin.

Shkrimet për letërsi të përgjithshme, angleze e shqipe që mblidhen këtu i kam quajtur besimi letrar. Mund të lexohen veç e veç, por edhe në ndërlidhní organike. Fija që i bashkon nuk është ideja zanafillore e sistemit, por leximi relacional i tyre aposteriori. Kjo është ndërmarrje studimore në fushë të letërsisë, jo në fillime, me mësime, zbulime e magjepsje, as vonë, me kurorëzime sistematizuese që shpalosin urti kanonizuese, po me mallin e pjekur e të kultivuar të leximit të letërsisë nga një dashurues i stërvitur i letërsisë.


Çereku i parë i librit (“Besimi letrar”) merret me letërsinë në raporte marrjesh e dhëniesh me kohën, kombin, identitetin dhe religjionin. Koha është temë e madhe e letërsisë dhe e metafizikës. Për letërsinë koha e brendshme (psikologjike) në modernitet.

Afritë e letërsisë, sidomos të romanit, që ka traditë 400-vjeçare, janë me kombin kulturor, që pastaj hyn në shërbim të kombit politik. Raportet e letërsisë me kombin dhe identitetin janë trajtuar në këto shkrime në rrafsh universal dhe vendor (veçantitë e situatës kulturore dhe letrare të Kosovës shqiptare), me vetëdijen se kombi matet me të tjerët, ndërsa letërsia ka masë veten. Letërsia si besim dhe besimi letrar në raport me besimin fetar trajtohen në shtrirje kohore deri sot.

Gjysma qendrore e librit, me titullin “Letërsi e përbotshme”, përvijon evolucionin e historisë letrare angleze në botimet akademike të Kembrixhit, rroket me shkrimtarin universal Uilliëm Shekspir, me Shekspirin e të gjitha kohërave, vështruar nga një perspektivë më e gjerë sesa modat studimore të kohëve të fundit, por edhe me strategjitë narrative dhe kuptimin në prozën e shkrimtarëve të mëdhenj modernë, Xhozef Konrad e Xhejms Xhojs (i pari britanik me origjinë polake, i dyti irlandez), si dhe me poezinë dhe teorinë e poezisë të Shejmës Hinit, poetit më të madh irlandez pas Jejtsit.

Shkrimet për Shekspirin janë të këtij viti, me rastin e 400-vjetorit të vdekjes (2016), studimet për modernistët e prozës pjesë e një studimi për modernizmin e hershëm dhe të naltë, ndërsa për Hinin dhe letërsinë e tij në shkallë të parë dhe të dytë me rastin e vdekjes së tij. Kjo pjesë e librit përmbyllet me një studim krahasimtar për mënyrën se si paraqiten barbarët në letërsinë e K. Kavafit, Kuciesë (J. M. Coetzee) dhe S. Hamitit.

Çereku i mbramë i librit (“Letërsi shqipe”) mbledh shkrimet për letërsinë dhe studimet letrare shqipe, me fokus te studimet letrare dhe poezia e Kosovës, për letërsinë shqipe në raport me tjetrën/tjetrin, për realizmin socialist shqiptar, për studimet e Arshi Pipës, dhe për letërsinë dhe për poetikën historike shqipe të Sabri Hamitit, një work in progress i katërdhjetë vjetëve, që po bëhet opusi i tij. Shkrime të tjera trajtojnë fenomene e autorë përfaqësues shqiptarë, shkrimtarë e kritikë letrarë, në përpjekje për t’i përvijuar zhvillimet e hovshme e thyerjet letrare të shekullit të mbramë.

Ndonëse i specializuar për letërsi angleze dhe profesor në Universitet, interesat dhe kënaqësia letrare më kanë shpënë edhe përtej saj, te letërsia e përgjithshme dhe fenomene kufitare letrare, por më kanë kthyer në shtëpi, në letërsinë shqipe, të cilën mund ta lexoj nga një afërsi e larguar, për ta parë më mirë.

“Besimi letrar” mbledh shkrimet e mia për letërsinë të dekadës së fundit, që, mbasi kanë dalë fillimisht veç e veç gjetiu, botohen këtu pa ndryshime.

Muhamet Hamiti (1964) është profesor i letërsisë angleze në Universitetin e Prishtinës. Ka bërë studime për letërsi në Prishtinë, Zagreb dhe Londër. Ka botuar ese kritikë për autorë të veçantë dhe fenomene letrare, një libër monografik për E. M. Forsterin dhe së voni një libër për prozën e shkrimtarëve modernë, Joseph Conrad dhe James Joyce.