LAJMI I FUNDIT:

Berisha: Viti që lëmë pas ishte i bekuar

Berisha: Viti që lëmë pas ishte i bekuar

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, nëpërmjet një mesazhi u ka uruar të gjithë shqiptarëve një Vit të Ri sa më të lumtur dhe të gëzuar. Kryeministri ka theksuar në urimin e tij përmbushjen e të gjitha ëndrrave dhe aspiratat e shqiptarëve, duke e cilësuar vitin që kaloi si një vit të bashkimit. Shprehja e ditës së kreut të qeverisë është: “Të ecim të bashkuar njëri me tjetrin, të bashkuar me Europën, drejt idealeve tona kombëtare”.

“Në këto pak çaste para ndërrimit të viteve dëshiroj të gjendem pranë jush, të ndaj me ketë mesazh, së bashku me ju, gëzimin e vitit që presim, të uroj për ju, njerëzit tuaj më të dashur, një vit të ri plot shëndet, mbarësi, lumturi, gëzim, suksese. Uroj që viti 2013 të jetë viti i realizimit të aspiratave dhe ëndrrave tuaja më të bukura”, thuhet në mesazhin e kryeministrit Berisha.

Më tej në mesazh thuhet, “Një urim të veçantë, unë kam për të gjithë ata, të cilët gjatë vitit që shkoi humbën më të dashurit e tyre apo përballuan dhimbje të skamjes, sëmundjeve, papunësisë. Uroj që viti i ri të jetë një vit i mbarë, një vit gëzimi, suksesesh në zemrat dhe vatrat e tyre”.


“Viti 2012 ishte viti i flamurit tonë, ishte viti i krenarisë sonë, viti i 100 vjetorit të pavarësisë. Viti, të cilin ne patëm fatin ta përjetojmë. Në këtë vit, ne, më të bashkuar se kurë, më krenarë se kurrë për flamurin tonë, nderuam qindra e mijëra vajza e djem, burra e gra, të cilët gjatë 100 viteve ranë për t’u bërë të pavdekshëm, që shqiptarët të jenë kudo të lirë. Kremtuam 100 vjetorin më të bashkuar se kurrë njëri me tjetrin”, tha Berisha në mesazhin e tij.

“28 nëntori do të mbetet në memorien tonë kombëtare jo vetëm si dita e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, por si dita e lëvizjes më të fuqishme mbarëpopullore, paqësore, mbarëkombëtare të bashkimit të kombit shqiptar. Kurrë ndonjëherë në histori, shqiptarët nuk janë ndjerë më pranë njëri-tjetrit, më të bashkuar se më 28 nëntor. Mesazhi i kësaj dite: Të ecim të bashkuar njëri me tjetrin, të bashkuar me Europën, drejt idealeve tona kombëtare”.

“Vit që lëmë pas ishte një vit i bekuar, sepse kriza e rëndë, në vendet përreth e më gjerë, provokoi dyfishim të papunësisë, ulje të ndjeshme të rrogave e pensioneve, shtim të varfërisë, në Shqipëri rrogat e pensionet u rritën, rritja ekonomike vazhdoi, papunësia jo vetëm që nuk u rrit, por pati një rënie të konsiderueshme, investimet e huaja vazhduan. Kjo ekonomi bëri të mundur që ne të parashikojmë për vitin që vjen, buxhetin më të madh në historinë e vendit. Në sajë të funksionimit të saj u shndërrua në realitet ëndrra shekullore e tunelit të Kërrabës, u ndërtuan qindra kilometra autostrada në mbarë vendin, mijëra kilometra rrugë, u ndërtuan e rindërtuan mbi 1300 shkolla. Shqipëria pati një progres të madh në drejtim të digjitalizimit të të gjitha proceseve. Shqipëria digjitale sot është një realitet”, tha kryeministri shqiptar.

“Viti që lëmë pas ishte një vit i bekuar, sepse falë reformave të thella e të gjithanshme Komisioni Europian, Parlamenti Europian, Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian rekomanduan Shqipërinë për statusin e vendin kandidat, me kusht që ajo të votonte tre ligje, që prej muajsh presin votën e deputetëve në parlament. Kjo nuk ndodhi, sepse dikush mendoi se shqiptarët duhet të festojnë me murin e bllokimit para. Mendoj se ky ishte një gabim, por të cilin demokracia ka të gjitha mekanizmat për ta zgjidhur në mënyrën më demokratike”, tha ai.

“Ne presim vitin 2013 me besim të madh, me shpresë e të sigurt se do të jetë një vit më i mbari në historinë tonë. Një vit, në të cilin rritja ekonomike do të vazhdojë, një vit në të cilin ne, me zgjedhje të lira e të ndershme, do të gjendemi më pranë aspiratave dhe idealeve tona europiane. Një vit, në të cilin projekti ynë: Të bashkohemi njëri me tjetrin, të bashkohemi me Europën, do të kapë horizonte të reja. Një vit, në të cilin punësimi i shqiptarëve do të jetë përparësia më madhore. Rritja rrogave, pensioneve dhe ndihmës ekonomike do të vazhdojë”, tha Berisha në mesazhi e tij.

“Ne presim me besim, shpresë e optimizëm, se viti 2013 do të jetë vit i bardhë, një vit tjetër i bekuar për shqiptarët.
Viti 2013 do të jetë viti i zgjedhjeve të lira e të ndershme, në të cilat shqiptarët, me votën e tyre, do të shembim murin e bllokimit, do të bëjnë gjithçka që projekti i tyre i këtij shekulli: Të bashkohemi njëri me tjetrin, të bashkohemi me Europën, të kapë horizonte të reja.
Viti 2013 do të jetë një vit i bekuar për shqiptarët. Vit, në të cilin përsëri ne do të rrisim rrogat, pensionet, ndihmën ekonomike dhe do të krijojmë me dhjetëra mijëra vende pune në projektet e mëdha që pritet të fillojnë, si dhe qindra e qindra projekte në mbarë vendin”.

“Viti 2013 është një vit vendimtar në projektin tonë: Shqipëria vend i zhvilluar. Ndaj dhe unë dua t’ju uroj ju, të dashur qytetare e qytetarë shqiptarë, kudo që festoni sonte, fëmijëve tuaj, familjeve tuaja, njerëzve tuaj më të dashurit tuaj:
Gëzuar vitin 2013! Le të jetë ky vit, viti i realizimit të ëndrrave, projekteve, aspiratave tuaja më të bukura.
Zoti ju bekoftë ju, familjet tuaja! Zoti e bekoftë Shqipërinë! Gëzuar të gjithë!”, përfundon mesazhi i kryeministrit Berisha. /Telegrafi/