LAJMI I FUNDIT:

Beqaj premton rritje ekonomike 8 për qind

Beqaj premton rritje ekonomike 8 për qind

Besim Beqaj nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se plani ekonomik i Misionit të Ri është grancë për zhvillim të fuqishëm të vendit.

Ai ka përmendur një varg veprimesh ekonomike, nisur nga ato në bazën tatimore të vendit, deri tek subvencionet e ndryshme për prodhuesit e vendit, përmes të cilave pritet që, sipas tij, rritja ekonomike e Kosovës të arrijë në 8 për qind, njofton Klan Kosova.

“Kosovës i duhet një shëndetësi funksionale, si edhe arsim cilësor. Duhet konsultuar në mënyrë të detajtë komuniteti i biznesit, që të shohim kah duhet orientuar programet arsimore. Fokusi ynë do të jetë që ne, jo vetëm t’i përkrahim me programe, por edhe t’i subvencionojmë ndërmarrjet financiarisht për të kryer trajnimet e nevojshme. Sporti, kultura, rendi dhe ligji do të jenë po ashtu pjesë e rëndësishme e planeve tona. Duhet hequr burokracia në sistemin gjyqësor. Të krijohet një gjykatë ekonomike, që do të trajtojë cështjet e kësaj sfere”, ka thënë Beqaj.

Ai ka theksuar se duhet të subvencionohen të gjitha ndërmarrjet që kanë kapacitete eksportuese, si edhe fushatat e tyre të marketingut. Po ashtu sipas tij, ndihmë duhet t’u jepet ndërmarrjeve që krijohen nga të rinjtë dhe gratë. Do të kemi një fond që do t’i përkrah të rinjtë që kanë ide. Kemi menduar edhe një subvencionim të pagave të sektorit privat në prodhim dhe shërbime.

“Një nga vendimet e para që duhet marrë në qeverinë e ardhshme do të jetë heqja e doganës dhe TVSH-së për lëndët e para dhe pajisjet prodhuese. Cështje e rëndësishme është fondi i rrezikut në kreditim, i cili duhet të rritet. Po ashtu duhet krijuar një fond që do të bënte sigurimin e prodhimeve primare bujqësore. Do ta krijojmë Agjencionin Zhvillimor të Kosovës, që do t’i ketë të hapura dyert për të gjithë ata që duan ta rrisin aktivitetin e tyre ekonomik.

Dhe ndoshta më e rëndësishmja, do të të jetë shpallja e produkteve vendore me rëndësi nacionale. Në vitin e parë do t’i piketojmë dyzet projektet më të rëndësishme për vendin, që do t’i marrë në përkujdesje qeveria. Me këto masa, mund ta realizojmë një rritje ekonomike prej 8 për qind”, tha Beqaj.