LAJMI I FUNDIT:

Beqaj: Garantohen të drejtat e punëtorëve të distribucionit

Beqaj: Garantohen të drejtat e punëtorëve të distribucionit

Në procesin e përmbylljes së procesit të privatizimit dhe funksionimin e kompanisë KKDFE-së do të mbrohen të gjitha të drejtat e të punësuarve në këtë kompani, u theksua gjatë takimit që ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj kishte sot me delegacionin e sindikalistëve në përbërje të së cilit ishin kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Kosovës, Haxhi Arifi dhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Distribucionit dhe Furnizimit, Fehmi Pajaziti.

Në takim ishin të pranishëm edhe kryesuesi i Bordit te Zyrës se Rregullatorit, kryetari i Bordit të KEK-ut, drejtori menaxhues i KEK-ut dhe kryetari i Bordit të KKDFE-së.

Ministri besim Beqaj u ka dhënë garanci përfaqësuesve te sindikatës se gjatë këtij procesi do të respektohen në plotëni ligjet e Kosovës dhe kontrata e privatizimit.

Me ketë rast ministri Beqaj ka theksuar se sipas kontratës së privatizimit të gjithë punëtorëve u garantohen kontrata trevjeçare dhe se në funksionimin e kompanisë së privatizuar do të respektohet Ligji i Punës.

Ministri gjithashtu theksoi se monitorimi i implementimit të kontratës së privatizimit do të bëhet nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, institucion që i përgjigjet vetëm Kuvendit.

Në takim janë sqaruar dilemat dhe shqetësimet e punëtorëve dhe është arritur pajtueshmëri për bashkëpunim të ngushtë dhe gjithanshëm me Bordin e KEDS-it dhe kryeshefin ekzekutiv, me qëllim që të realizohen objektivat e parashtruara me procesin e privatizimit dhe njëkohësisht të sigurohen mbrojta e të gjitha të drejtave të punëtorëve në bazë të ligjit dhe kontratës mbi privatizimin. /Telegrafi/