LAJMI I FUNDIT:

BE, kompanitë automobilistike në krizë

BE, kompanitë automobilistike në krizë

Shitjet e automobilëve në Bashkimin Europian ranë me 8.2 për qind në vitin 2012, duke arritur nivelin më të ulët në pothuajse dy dekada, informoi të mërkurën Shoqata Europiane e Prodhuesve të Automobilëve. Në raportin e publikuar informohet se midis 27 vendeve të BE-së u regjistruan 12.05 milionë makina të reja gjatë të gjithë vitit të lënë pas.

Midis tregjeve të mëdha, vetëm ai britaniku njohu rritje, me 5.3 për qind më shumë shitje se në 2011-n. Megjithatë, Franca, Italia dhe Spanja njohën rënie dyfishfrore në përqindjen e shitjeve të automobilëve në të njëjtën periudhë.

Gjermania, vendi me ekonominë më të madhe në Europë dhe njëkohësisht prodhuesi më i madh i makinave i kontinentit njohu gjithashtu një rënie prej 2.9 për qind, krahasuar me 2011. Sa i përket Greqisë, rënia përbën një rekord historik, me 40.1 për qind më pak regjistrime të makinave të reja, ndërsa tregu vazhdon në “rënie të lirë” që prej fillimit të krizës së borxheve, pesë vjet më parë.


Të dhënat e dhjetorit ishin veçanërisht të këqija, duke i dhënë një goditje të re shumë markave europiane, në vështirësi financiare për shkak të rënies së fuqisë blerëse.

Shoqata Europiane e Prodhuesve të Automobilëve bashkon në të 18 markat më të mëdha të kontinentit. /Telegrafi/