LAJMI I FUNDIT:

“Basic instincts”

Në kokat tona luftojnë instinktet dhe ndalesat. Tundohemi të bëjmë diçka por themi: jo se marre! Politikanët , në vendet demokratike, frenohen nga frika e humbjes së votave, e humbjes së privilegjeve! Te ne jo! Përmasat e kësaj lufte janë aq të shkapërderdhura, por kazani gjithnjë vlon! Për shembull, te ne një vajzë e mitur largohet nga shkolla sepse e mbulon kokën me shami, sepse shamia te ne është politikë! Në shtetin fqinjë shpërblehet me duartrokitje një vajzë, sepse zbulon gjithçka. Edhe kjo del të jetë politikë!

Këto janë të dy anët e litarit që tërhiqet para syve tanë! Kush ka të drejtë?! E kush e di?! Drejtësia është diçka që nuk funksionon te gjallesat e tjera, përpos te njerëzit. E njerëzit nuk kanë arritur të dakordohen rreth nocioneve themelore të së mirës e të keqes, të drejtës dhe të padrejtës. Në kultura të ndryshme ka përgjigje të ndryshme. Secila anë pretendon se e di! Kështu lufta vazhdon! Kjo shpesh (keq)përdoret në funksion të politikës! Mesazhe nga drejtime të kundërta na atakojnë përditë nëpër media dhe protagonistë janë herë njerëzit e thjeshtë, e herë ata të veshur me fuqi, qoftë ekonomike apo politike. Më së keqi paraqitet gjendja kur përzihet politika. Dhe, paraja!


Krejt këto që do të përflasim më poshtë, të cilat i morëm nga mediat, vetëm në dukje të parë duken si raste të shkëputura.

Pra, një djalosh, babai i të cilit paska vënë pasuri duke shitur hamburger në lokalin e tij shumë të njohur në qytet, para disa ditësh në një klub striptizi në Tetovë paska paguar për një natë, një llogari prej 24.000 euro! Mediat , të cilat duke ruajtur “nderin” e djaloshit nuk e përmendin me emër, pohojnë se ai i ka qerasur striptizetat e klubit me pije alkoolike, gjatë tërë natës. Ka që kanë dhënë edhe më shumë, për të parë diçka të zakonshme, diçka që në vendet e qytetëruara mësohet qysh në klasat e para, në lëndët e edukatës seksuale. Diçka për të cilën Tuna thotë se “ tash tjetërkush e ka”! Pas këtij rasti, që shpërtheu në media, në imazhin e Tetovës si qytet universitar dhe qendër politike dhe e namuzit shqiptar, do të përmendet nën zë edhe jeta e kushtueshme e natës!

Edhe Beogradi këto ditë u përmend në përmasa globale për një “skandal”! Për dallim prej djaloshit nga Tetova, (krye)ministri serb pati “fat”! Ai shfaqjen e pati krejt gratis dhe publiku pati mundësi që në disa sekonda të lexojë në fytyrën e (krye)ministrit, vetëdijen dhe nëndijen e tij. Disa gazetarë serbë thonë se ai pas hutimit të parë, pasi rrotulloi sytë nëpër tavan, filloi të shijojë skenën por… shpejt u këndell! Disa madje thonë se u skuq! Tash, thashethemet për skuqjen e tij nuk i besoj, sepse politikanët e kalibrit të tij nuk skuqen. Politikan i zoti, në mendësinë në të cilën është rritur z. Daçiç, d.m.th. të gënjesh e të mos skuqesh!

Çka mendon ti, si do të kishin reaguar, nëse ruana Zot, kryeministri dhe ministri ynë i brendshëm do të gjendeshin në një situatë të ngjashme?

Dorën në zemër, i thash, nuk e di si do të reagoja unë, e le më qeveria! Por, pastaj mu kujtua se ka edhe një arsye përse kjo nuk mund të ndodhë te ne! Kryeministri nuk shkon mysafir në të “huajshëm”. Tashmë dihet se kryeministri shkon mysafir vetëm te “gazetarët e vet”! Edhe ministri i fjalëve të brendshëm, po ashtu!

Ndërkohë, Branka Knezheviq, moderatorja e bukur e cila pranoi të luante skenën e famshme të Sharon Stone, përpara z. Daçiç, tash pohon se ka telashe me telefonin e saj. U bë tej mase e njohur, kur gjatë intervistës me (krye)ministrin serb, hapi para tij pamjen, e cila, për publikun doli e censuruar. Për publikun, natyrisht, s’ka gratis! Pamja ishte servuar veç për (krye)ministrin. Pas kësaj, ajo thjesht nuk arrin të gjejë një çast qetësie nga thirrjet e njëpasnjëshme telefonike. U bë yll medial! Askush deri më tash, thotë ajo, nuk më ka bërë ndonjë koment negativ. Publikut i paska pëlqyer. Ajo mendon se ka bërë mirë punën e sajë, por edhe për njeriun e parë të qeverisë serbe pohon të ketë qenë në nivelin e detyrës.

Por, ky “sulm” mbi (krye)ministrin serb nuk është i vetmi kohëve të fundit. Po ta kishte vetëm këtë hall (krye)ministri serb besoj se nuk do ankohej. Këtu ai ishte “viktimë”! Por, takimi i tij i para disa vitesh me Rodoljub Radulovic, biznesmen i njohur i cili në mediat serbe përflitet si njëri nga bosët e mafias, për shumë komentues nuk e nxjerr atë si viktimë, por përkundrazi, ngrihen dyshime se ai mund të jetë ngatërruar me krimin e organizuar. Nga e kaluara ende përmendet rasti i ish-kryeministrit Gjingjiq për të cilin thuhej se kishte “mbjellë kunguj me dreqin” dhe kjo i kishte kushtuar me kokë! Disa politikanë në Serbi, pas zbulimit të kësaj afere po thonë me zë se “qeveria tashmë ka rënë”. Edhe pse ajo duket po aq e qëndrueshme sa kjo e jona. Si duket mbahen për të njëjtën gozhdë. Atë të dialogut!

Derisa opozita pret dorëheqjen, pozita dhe mediat proqeveritare përkundrazi, mendojnë se aferat janë të kurdisura. Përflitet se truri i tyre është nënkryetari aktual i Partisë Demokratike Miodrag Rakic, i cili dikur ishte koordinator i të gjitha shërbimeve inteligjente serbe! Pra, shumë më shumë se Kamishi jonë, madje edhe se shefi i tij! Dyshohet se Rakic po përdorë të dhënat nga dosjet sekrete dhe lidhjet e tij brenda shërbimeve, për të diskredituar (krye)ministrin serb.

Kështu përkundër skandalit të “ëmbël” që ia kurdisën z. Daçiç, atë e ndjek edhe hija e biznesmenit Radulovic, i cili përfolet si bashkëpunëtor i afërt i “biznesmenit” tjetër po aq të “famshëm” Darko Saric, emri i të cilit lidhet po ashtu me narko-mafian serbe dhe me fletarrest ndërkombëtar.

Kjo është luftë! Jo krejt e zakonshme, por luftë! Kryeministrit serb i ka plasë lufta në oborr të vet sapo dha shenja se pajtohet të shuaj luftërat me jashtë. Lobi i luftës nuk dorëzohet lehtë, sepse lufta për dikë është veç një biznes. Për çdo krizë, e sidomos ato që kanë karakteristikat e luftës ka një buxhet të majmë, të cilin askush nuk arrin të e kontrollojë.

Por, të kthehemi te skuqja e kryeministrit serb? Besoni ju që ai të jetë skuqur? A mund të skuqet një person i cili e di se në Kosovë, nga ushtarët dhe paramilitarët e tij janë dhunuar rreth 40.000 femra, dhe as nuk e ulë kokën në shenjë dhembjeje dhe pendimi?

Derisa gjenerali serb Ojdanic pranoi para tribunalit të Hagës krimet e luftës në Kosovë dhe kërkoi ndjesë, (krye)ministri Daçiç nuk skuqet fare për këtë! Nuk pranon as të bisedohet për to, lere më të kërkojë ndjesë! Madje, ai kapardiset se ka luftuar kundër Thaçit! Por edhe ai edhe Thaçi pak kanë parë nga lufta. Ushtria serbe dhe policia, kryesisht kanë luftuar kundër civilëve në Kosovë. Kjo shihet nga civilët e vrarë! Komandantët e lavdishëm pak e kanë parë njëri-tjetrin!

E dikush pastaj merr guxim e pohon se (krye)ministri serb skuqet! Ai si duket skuqet vetëm kur i ngacmohen instinktet bazike! Veç Zoti e di a prej qejfi apo prej inati?