0Shares

Nga Gjirokastra, Lulzim Basha theksoi se më 25 qershor qytetarët nuk do të votojnë për reformën në drejtësi, por për një ekonomi më të fortë.

“Reforma në drejtësi po ndodh, institucionet e shtetit do të vazhdojnë të forcohen. E diela e ardhshme nuk e ka votën për këto, e diela e ardhshme e ka votën nëse do të kemi një ekonomi më të fortë, taksa më të ulëta, me subvencione për fermerët, me mbështetje për rininë, me mbështetje për gratë shqiptare, me mbështetje për sipërmarrjen, apo do të vazhdojmë edhe 4 vjet të tjera me taksa të larta, çmime të larta të energjisë dhe të naftës, shtet të kriminalizuar dhe drogën anë e mbanë vendit”, tha Basha.

Kreu i opozitës i drejtoi edhe një mesazh të gjithë atyre qytetarëve që janë ende të pavendosur: “Ndryshimi themelor midis asaj që premton Edi Rama dhe asaj që përfaqësoj unë, është ky: Edi Rama nuk i mbajti premtimet sepse Edi Rama nuk kishte kurrë prioritet mbajtjen e premtimeve, nuk kishte as plan për t’i mbajtur premtimet. E tani vjen përsëri me premtime të tjera, të cilat po kështu nuk do t’i mbajë sepse i vetmi qëllim i tij është timoni. Unë nuk vij me premtime, por me një plan që ka qëllim të nxjerrë ekonominë nga kriza, të krijojë vende pune përmes uljes së taksave, tvsh dhe përmes investimit të parave, jo në palma dhe fasada, jo në zyra dhe makina luksi, jo udhëtime zyrtarësh, jo tendera dhe koncesione korruptive, por në rritje pensionesh dhe paga më të mira. Ai do timonin për vete, unë do të rregulloj motorin që është ekonomia e fortë, pa të cilën nuk mund të ketë të nesërme të sigurtë”, tha Basha. /Tch/Telegrafi/

Të Ngjajshme

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi. Ju lutem lexoni rregullat këtu.

Shfaq Komentet (0)