LAJMI I FUNDIT:

Banorët rreth Athinës që s’dinin greqisht

Banorët rreth Athinës që s’dinin greqisht
Ilustrim

Kristo Zharkalliu

Në gazetat e Tiranës u botua një artikull i vitit 1901 nga “Jurnal Junior” e Minneapolisit ku thuhej se në vitin 1901 në një fshat, Salësi (Shalësi-kzh) 19 kilometra (larg apo afër?!) Athinës banorët flisnin vetëm shqip dhe nuk dinin fare greqisht”!


Ju them se në atë kohë kudo në Atikë flitej shqip.

Doni ca emra?

Menidhi tani është brenda Athinës. Liosha (nga i famshmi Petro Losha!), Varibobi nga “Varri i Bobit (Gjin Bue Shpata)… janë brenda Athinës tani.

Mos doni diçka më konkrete?

Lagjja më e vjetër e Athinës rreth Akropolit quhet Plaka! Kur akoma Athina nuk ishte bërë kryeqytet i Greqisë dhe turqit nuk kishin thyer qafën, aty banonin “shqiptarë” që për çudi flisnin gjuhën shqipe!

Për rrethinat e Atikës, një shembull tipik është Aeroporti i Athinës i ndërtuar pranë fshatit Shpat dhe kështu quhet edhe tani…

Të mos flasim për Lopësin, Kryekuqin, Vilasin, Elefsinën, Sallaminën, Kundurën, Qyrkën etj. Pastaj për Dervenohorët ku arvanitasit trima të 12 fshatrave nuk lejuan të shkeleshin nga nazifashistët, duke luftuar heroikisht nëpër qafat rreth fshatrave të tyre.

Të gjitha këto janë të njohura. I kanë shkruar vetë grekët, jo vetëm për arvanitasit e Atikoviotias, por edhe për Korinthin, Pelloponezin, Ahaian dhe domosdo për ishujt e famshëm Speces dhe Hidra nga ku dolën kapedanë të shquar të revolucionit grek të vitit 1821.

Dhe, këtu del pyetja vetvetiu: pse nuk bëhet mundimi të shkohet në Bibliotekën Kombëtare të Athinës që të gjenden me dhjetëra botime për arvanitasit ose të hyjnë thjesht në internet dhe të kërkojnë ose të pyesin për Kulluriotin, Furiqin, Birin Marungën dhe Aristidh Kolën e shumë të tjerë?

Pse habiten me shkrimin e një gazetari të huaj që paska zbuluar fshatin “Salës”, 19 kilometra larg Athina ku flitej shqip?!!

Që ta bëjmë pak gazmore shkrimin le të paraqesim disa ngjarje rreth arvanitasve. Përafërsisht në kohën e gazetarit të huaj që paraqitet, në Menidhi u hap shkolla e pare fillore greke. Ditën e pare kur shkolla u mbush me djem (vajzat akoma nuk i lejonte prifti, prindi dhe kanuni!), mësuesi i ri donte të bënte regjistrimin e nxënësve. Filloi pra: “Si të quajnë ty?”, pyeti nxënësin e pare. Djali ngriti supet dhe u përgjigj: “Nuk e di”! “Po ty si të quajnë?”, pyeti të dytin “Nuk e di”, u përgjegj dhe ky. Ai regjistronte se quheshin “Nukedi”, por u habit së tepërmi kur edhe i treti dhe i katërti të gjithë kishin dhënë përgjigjen “Nuk e di”. Mësuesi besoi se të gjithë kishin të njëjtin mbiemër “Nukedi” dhe i regjistroi të gjithë me radhë “NUKEDI-dhes”!

Në mbrëmje mësuesi shkoi në kafene ku ishin disa burra që dinin pak greqisht. I pyeti: “Të gjithë në këtë fshat jeni farefis?” “Jo, pse?”, e pyeti dhe fshatari i moshuar. “Por, si bëhet që kini të gjithë të njëjtin mbiemër?”! “Kush tha se paskam të gjithë një mbiemër?”, u habitën burrat që e dëgjonin. “Ja”, tha mësuesi, “të gjithë fëmijët i regjistrova me mbiemrin ‘NUKEDI’ se kështu më thane kur i pyesja”! Burrat – ata që dinin greqisht – nisën të qeshin dhe njëri nga ata i shpjegoi po duke qeshur: “Ata nuk të thanë mbiemrin se nuk kuptonin se çfarë i pyesje, meqënëse nuk dine asnjë fjalë greqisht. Thjesht, përgjigjeshin arvanitëshe ‘nuk e di’ se nuk dinin se çfarë i pyesje”! Mësuesi mbeti gojëhapur dhe e tregonte gjatë gjithë jetës këtë ngjarje duke qeshur dhe vetë.

Tregojnë për ishullin Spece nga ku ka qenë Bubulina e njohur. Pasi ishte formuar shteti grek, një pasardhës i Bubulinës – që quhej sigurisht Bubuli – ishte zgjedhur deputet në Parlamentin grek. Ishte njeri i nderuar në ishullin e tij Bubuli, prandaj ngahera festat e mëdha të Krishtlindjeve dhe të Pashkës i bënte bashkë me bashkëfshatarët e ishullit. Ishte bërë zakon pra që ditën e Pashkëve, kur prifti thoshte – në orën 12 të natës sigurisht – “Krishti u ngjall”, të gjithë do të ndiznin qirinjtë nga Bubuli dhe vezën e pare e thyente po Bubuli duke e trokitur fillimisht me Kryeplakun dhe pastaj me të tjerët. Është e kotë të them se kush fitonte! Sigurisht Bubuli!

Një vit kishte mot të keq dhe Bubuli u vonua të vinte që të shpallej “ngjallja e Krishtit”. Mos harrojmë se Speces është ujdhesë dhe duhej të vinte me ndonjë anije. E, kur moti ishte i keq, domosdo vonohej. Të gjithë pyesnin – fillimisht prifti pastaj të tjerët: “Erdhe Bubuli për ve”? “ Nuku erdhe Bubuli për ve”! Orët kalonin dhe “Krishti nuk mund të ngjallej” para se të vinte Bubuli. Të gjithë pyesnin të shqetësuar: ”Erdhe Bubuli për ve”? “Nuk erdhe Bubuli për ve”! Dhe, kambana heshtte dhe “Krishti nuk ngjallej”!

Bubuli mundi të vinte aty nga ora katër e mëngjesit – “Krishti u ngjall” me katër orë vonesë dhe të gjithë thirrën duke marrë frymë lirisht: ”Erdhe Bubuli për ve dhe Krishti u ngjall përsëri… se dhe për pak mund të ndodhte e pabëra dhe të mbetej Krishti pa u ngjallur…”!

Vitet e fundit bëhet shumë zhurmë për drogën dhe shqiptarët. E, ju informoj se edhe drogën për here të pare në Atikobioti e kishin shpikur arvanitasit dhe konkretisht gratë arvanitase! Dihet se në Atikë toka ka qenë pjellore. Aso kohe nuk ishte e shkatërruar nga betoni dhe aeroporti, ndaj prodhonte gjithçka. Kryesisht ishin të dëgjuar vreshtat e Mesojes (Mesdheut) ku prodhohej vera shumë e mire që në lashtësi.

Burrat arvanitas dalloheshin për luftëtarë dhe blegtorë, por si dhe shqiptarët nuk shquhen për punëtorë të mire të tokës. Në përgjithësi, kur vileshin prodhimet, këtë punë e bënin gratë e mrekullueshme arvanitase. Ato shumë here merrnin edhe fëmijët e vegjël – të gjirit kryesisht – me vete në arë, ku i linin nën hijen e ndonjë peme dhe ato bënin punë në arë.

Mirëpo, fëmijët shumë here nuk flinin, qanin, ankoheshin dhe detyronin mëmën të qëndronte pranë duke mos mundur të bënte punën në arë. Por, ato e gjetën zgjidhjen. Mblidhnin një bimë nga arat, e zienin dhe lëngun ia jepnin fëmijës të pinte disa gllënjka dhe e vinin në gjumë gjatë gjithë ditës! Këtë lëng e quanin “gjumës” (po, po ,gjumës, si do ta quanin dhe shqiptarët e sotëm!). Në këtë mënyrë ato punonin të qeta, ndërsa fëmija flinte. Madje, thoshin se për këtë arsye, arvanitasit kur rriteshin ishin tepër kokëfortë dhe pak si të… humbur!

Kjo e fundit nuk është vërtetuar akoma! Besojmë se me drogën e sotme shqiptare të vërtetohet plotësisht.

Duhet theksuar se përpjekjet që bëhen nga disa pseudohistorianë që të ndajnë arvanitasit nga populli grek janë të kota dhe të dëmshme për vëllazërimin e popujve. Arvanitasit kanë qenë një nga faktorët kryesorë në rimëkëmbjen e shtetit grek, madje ishin nga të parët që morën armët kundër pushtuesve otomanë. Është për të ardhur keq se dalëngadalë po shuhet gjuha arvanitase, po shuhen tiparet e veçanta të arvanitasve tanë dhe të Greqisë. Të paktën t’i respektojmë dhe të mos shtrembërojmë historinë e ekzistencës së tyre, gjë që do të dëmtonte së tepërmi rrënjët e një popullit trim dhe liridashës, do të dëmtonte vetë historinë e Greqisë bashkëkohore që u krijua dhe me gjakun e arvanitasve në kryengritjen e 1821-së.

Artikull i vitit 1901, që befasoi amerikanët: Fshatrat në Greqi flasin shqip, e në afërsi të Athinës nuk di kush greqisht (Foto)
Lexo po ashtu Artikull i vitit 1901, që befasoi amerikanët: Fshatrat në Greqi flasin shqip, e në afërsi të Athinës nuk di kush greqisht (Foto)