LAJMI I FUNDIT:

Banorët e Shqipërisë “braktisin” bregdetin e tyre: Në korrik, 500 mijë shqiptarë me pushime jashtë vendit

Banorët e Shqipërisë “braktisin” bregdetin e tyre: Në korrik, 500 mijë shqiptarë me pushime jashtë vendit

Shqiptarët po zgjedhin gjithmonë e më të shumtë të kalojnë pushimet verore jashtë vendit.

Vetëm për muajin korrik, kanë qenë 496 mijë shtetas që kanë dalë nga territori i vendit, një rritje prej 11 për qind krahasuar me të njëjtin muaj një vit më parë.

Rritja përkon me ndryshim pozitiv edhe në terma vjetorë, ku daljet e shtetasve shqiptarë janë rritur me 4.9 për qind.

Destinacionet në rritje për pushimet duke se kanë qenë Italia dhe vendet e tjera të aksesueshme në rrugë ajrore dhe detare, të cilat ofrohen shpesh në paketa turistike: vende si Turqia, Egjipti etj.

Falë edhe shtimit të një sërë linjash me çmime të lira, numri i shqiptarëve që kanë fluturuar jashtë vendit ka qenë rreth 127 mijë, një rritje e konsiderueshme me 35.7 për qind krahasuar me korrikun e shkuar. Aktualisht numri i daljeve në rrugë ajrore shënon një rritje vjetor për periudhën janar-korrik në 27.6 për qind, me rreth 150 mijë pasagjerë më tepër se një vit më parë, shkruan “Scan”.

Po ashtu, në rritje me 34.2 për qind është edhe numri i shtetasve që kanë lëvizur me anije ose tragete. Ky numër arriti në 88 mijë pasagjerë.

Gjithsesi, rrugët tokësore mbeten mënyra e preferuar e udhëtimit, kryesisht për shkak të vizitave në vendet fqinje si Kosova, Greqia, Maqedonia dhe Mali i Zi. Kjo kategori ka shënuar një rritje minimale prej 2.2 për qind.