LAJMI I FUNDIT:

Ballafaqimi me të kaluarën

Ballafaqimi me të kaluarën

Qeveria e Kosovës nuk e di se kur mund të fillojë trajtimi i rasteve të ballafaqimit me të kaluarën dhe pajtimin nga ana e Grupit Punues Ndërministror që është themeluar për këtë çështje. Në ekzekutiv kanë thënë se në këtë fazë, grupi është në proces të funksionalizimit, ndërsa kanë paralajmëruar që ballafaqimi me të kaluarën dhe pajtimin do të jetë një punë që do të marrë kohë.

Zëvendësministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Daut Xhemajli, ka treguar se vendimi për themelimin e Grupit tashmë është marrë me 4 qershor dhe se tashmë janë afatet e caktuara për formësimin e tij me përfaqësues nga Qeveria dhe institucione të tjera.

“Në këtë fazë nuk mund të flitet për rastin e parë të ballafaqimit me të kaluarën dhe pajtimin nga ky grup punues ndërministror, duke pas parasysh se ky është dhe do të jetë një proces shumë i gjatë e kompleks”, ka thënë ai.

Xhemajli e ka arsyetuar vendimin për themelimin e Grupit Punues Ndërministror për Ballafaqim me të Kaluarën dhe Pajtimin.

“Ballafaqimi me të kaluarën është i domosdoshëm në Kosovë, sepse familjarët e viktimave dhe të personave të zhdukur, bile edhe qytetarët e tjerë kanë të drejtë të dinë me saktësi kush dhe pse ka ushtruar dhunë në familjarët e tyre dhe ku gjenden varret apo eshtrat e tyre, e pastaj edhe kompensimi financiar lehtëson paksa pasojat dhe dhembjet e familjarëve”, ka thënë ai.

Sipas zëvendësministrit të Drejtësisë, kurrë nuk është vonë për kompensimin e dëmit të shkaktuar.

“Dua të rikujtoj diçka shumë me rëndësi, që nuk nënkupton përfitime sot për sot apo shpejt e shpejt – Gjermania në fund të vitit 2010 ka paguar këstin e fundit prej 69,9 milionë eurosh të reparacioneve për luftën e viteve 1914-1918”.

Më 4 qershor të këtij viti, Qeveria e Kosovës nxori një vendim për themelimin e Grupit Punues Ndërministror për Ballafaqim me të Kaluarën dhe Pajtimin. Ky Grup që do të kryesohet nga përfaqësuesi i Zyrës së Kryeministrit do të përbëhet nga gjithsej 20 veta – 7 përfaqësues që vijnë nga ministri të ndryshme, një përfaqësues nga Presidenca, një nga Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, një nga Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur, një tjetër nga Komisioni për Gjuhë dhe 8 përfaqësues të shoqërisë civile. Në cilësinë e ekspertëve dhe vëzhguesve do të jenë të ftuar plot 13 veta të tjerë që vijnë nga institucione vendore, sidomos nga ato ndërkombëtare.

Vendimin për themelimin e Grupit Punues Ndërministror për Ballafaqim me të Kaluarën dhe Pajtimin e ka kundërshtuar lideri i forcës së dytë më të madhe opozitare, lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti.

Në një prononcim publik, Kurti ka thënë se krimet e Serbisë në Kosovë janë të gjata në kohë dhe të mëdha në përmasa.

“Ky Grup është zëvendësimi i shkencës me letërsinë. Ne kemi nevojë për fakticitet dhe gjyqësi. Për hetime serioze për krimet e luftës e të pasluftës dhe për një rrëfim të vetëm – për rrëfimin e gjykatave të drejta e të paanshme teksa ndajnë drejtësi. Në kushtet kur s’kemi drejtësi gjykatash, drejtësia transicionale do të jetë padrejtësi pa transicion”, ka thënë ai.

Sipas Kurtit, nuk mund të ketë ballafaqim dhe pajtim për të kaluarën pa një qasje ndryshe të Kosovës kundrejt Serbisë, shkruan Koha Ditore. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Propozimi i PDK-së për datën e zgjedhjeve, ristrukturimi në këtë parti dhe deklarata e Hamzës për Kurtin, Abdixhikun e Haradinajn

Propozimi i PDK-së për datën e zgjedhjeve, ristrukturimi në këtë parti dhe deklarata e Hamzës për Kurtin, Abdixhikun e Haradinajn

Lajme
Kalo në kategori