LAJMI I FUNDIT:

“Balena e kaltër”: Kur lajmet imitojnë artin

“Balena e kaltër”: Kur lajmet imitojnë artin
Ilustrim

Bjorn Runa

Një panik moral duket se ka përfshirë Evropën e së fundmi po përhapet edhe përtej Atlantikut. Është fjala për një llogari në internet të një kulti misterioz rus vetëvrasës, që duket se ka mbërthyer adoleshentët nën hijen e një loje të quajtur “Balena e kaltër! Ndonëse provat për ekzistencën e saj janë të pakta dhe thuajse nuk ekzistojnë – prova që mund ta lidhin lojën me vetëvrasjet e adoleshentëve që mendohet se kanë qenë viktima të saj – agjencitë policore në vende të ndryshme evropiane kanë paralajmëruar prindërit që të monitorojnë komunikimin e adoleshentëve me “Balenën…” duke e bërë rrezikun të ndihet edhe më real.


Por, a reflekton “Balena e kaltër” një trend vetëvrasjeje midis adoleshentëve, kryesisht atyre nga Evropa Lindore, apo është fjala për diçka shumë më të frikshme? A besojnë vërtetë ‘viktimat’ e saj se një grup administratorësh do të nisen nga një qytet rus për të ekzekutuar të afërmit, familjen, apo miqtë e tyre?

Frika e vërtetë, në fakt, qëndron pas diçkaje edhe më të tmerrshme sesa një kërcënim online me vrasje. Frika e vërtetë fshihet pas tmerrit që çdokush nga ne përjeton kur mendon se sa shumë dinë për ne kompjuterët dhe telefonat e zgjuar që përdorim çdo ditë. Se si këto pajisje jo vetëm monitorojnë edhe çastet më të errëta të jetëve tona, por janë edhe në gjendje të na kontrollojnë. Kjo frikë është përshkruar edhe në një nga episodet më rrëqethëse të serialit “Black Mirror” në Netflix, i titulluar “Shut Up And Dance” (Qepe dhe Kërce).

Në maj të vitit 2016, televizioni shtetëror rus, “Russia Today”, transmetoi një kronikë në të cilën flitej për disa grupe në rrjetin social rus “VKontakte”, të cilët përkrahin vetëvrasjen midis adoleshentëve. Këto grupe i joshnin të rinjtë nëpërmjet videove që shfaqnin kode dhe shifra të enkriptuara, të cilët adoleshentët supozohej t’i deshifronin. Pak kohë më pas, në një nga gazetat më të mëdha ruse u publikua për herë të parë një histori që lidhej me emrin “Balena e kaltër” ku një moderator anonim iu jepte lojtarëve detyra, kryesisht vetëlënduese, të cilat duhet t’i përfundojnë brenda 50 ditësh – deri në detyrën finale, që përfshin vetëvrasjen.

Emri i lojës mendohet se vjen nga fenomeni i balenave e kaltër të cilat humbasin rrugën dhe përfundojnë në brigjet e oqeaneve ku edhe ngordhin. Gjithashtu, ajo mund të lidhet edhe me këngën e grupit të njohur rus, Lumen, e cila titullohet “Siniy Kit” (Balena e kaltër). Kënga nis me vargjet: “Përse të bërtasësh/ Kur askush nuk dëgjon/ Përse po flasim?”! Në klip shfaqet një balenë e kaltër gjigande që përpiqet të çajë rrjetën në të cilën ka ngecur.

Sipas raportimeve të disa prej lojtarëve që i kanë shpëtuar “Balenës…”, administratori kërcënon se nëse detyrat nuk kryhen, diçka e keqe do të ndodhë. Në lajme thuhet se ai/ata kërcënojnë me vrasjen e të afërmve, apo familjes. Por, ka një kërcënim edhe më të tmerrshëm pas kësaj, që jo të gjithë e pranojnë. Ai/ata kërcënojnë me nxjerrjen e një sekreti të errët të lojtarit. Dhe, kjo është edhe më e besueshme. Pasi ti shkarkon programin, ai/ata mund të monitiorojnë çdo veprim tëndin online, si edhe të kenë qasje në dokumentet që ruani në kompjuter. Gjithçka që, nëse do të bëhej publike, do t’ju rrënonte imazhin dhe personalitetin tuaj. Sigurisht, ai/ata mund të dinë edhe ku ndodheni, nëpërmjet adresës tuaj IP, duke iu kërcënuar se të dërguarit e tyre do të vijnë për të vrarë persona, të cilët ju i njihni.

Historia e “Balenës…” nisi të trajtohej nga disa tabloide britanike vetëm në shkurt të këtij viti, duke publikuar fillimisht statistikat ruse se rreth 130 adoleshentë që luanin lojën, kishin kryer vetëvrasje. Ato publikuan gjithashtu edhe fotografitë e disa prej viktimave, të cilat përfshinin disa vajza të reja simpatike dhe joshëse, duke provuar edhe seksualitetin e lojës si një tjetër element të rëndësishëm të saj.

“Radio Evropa e Lirë” u përpoq ta hetonte fenomenin, duke infiltruar gazetarë si lojtarë, por ata u zbuluan dhe nuk arritën të shkonin larg. Nga ana tjetër, “Snopes”, një faqe që monitoron mashtrimet dhe kurthet online, e ka cilësuar historinë si të “pavërtetuar.”

“Balena e kaltër” nuk është thjesht një fenomen i ri mbi vetëvrasjen e adoleshentëve në vendet e Evropës Lindore. Ajo është pasqyrimi i realitetit të jetës në epokën e teknologjisë dhe rrjeteve sociale. Ajo ka të bëjë me kontrollin nëpërmjet përgjimit. Ne ju besojmë pajisjeve teknologjike sekretet tona, madje edhe ato më të errëtat, që nuk do të guxonim t’ia pëshpëritim as vetes tonë. E bëjmë këtë me ose pa dashje, sa herë që kërkojmë diçka në internet apo sa herë komunikojmë online, duke ruajtur imazhe dhe video në kompjuter ose telefona. Imazhe dhe video të cilat mendojmë se i kemi siguruar duke i fshehur pas fjalëkalimesh të tejzgjatura. Ne kemi zbuluar gjithashtu se hakerët mund të arrijnë secilin prej këtyre sekreteve dhe se vetë ne shpesh i ftojmë ata në këtë ‘lojë’ duke vizituar faqet e dyshimta. Në fakt, gjithçka që ndodh është ndëshkim për vet imoralitetin tonë.

Pasojat më tmerrshme të një vigjilenti anonim i cili kërkon të na ndëshkojë për krimet tona të fshehta online ishin të qarta dhe rrëqethëse në episodin “Shut Up And Dance” të Black Mirror një vit më parë. Në të, personazhe të ndryshëm shkarkojnë padashur një virus i cili monitoron kompjuterët e tyre duke ua zbuluar edhe sekretet më të frikshme: një i ri që sheh pornografi me fëmijë në internet; një bashkëshort dhe baba i cili shkëmben foto provokuese me të dashurën e tij nëpërmjet telefonitM drejtuesja e një korporate gjigande e cila shkëmben letra raciste për punonjësit e saj etj. Administratori u jep atyre detyra që sa vijnë e bëhen më të dhunshme, duke i kërcënuar me publikimin e sekreteve të tyre. Në fund, siç ndodh shpesh me fenomenin troll në internet, ata u ekspozuan gjithsesi, pavarësisht plotësimit të të gjitha sfidave.

Megjithatë organizatori i gjithçkaje nuk publikohet. Forca e errët duket se është vetë interneti me informacionet vetjake me të cilat e ushqejmë çdo minutë, i cili në fund kthehet në një motor gjigand hakmarrjeje.

Kjo histori është kaq e ngjashme me fenomenin e “Balenës…” saqë lind pyetja nëse lajmet janë thjesht fantashkencë. Nuk është më fjala thjesht për lajme që imitojnë artin, por për lajme që lindin nga arti. Ajo çfarë legjenda urbane e “Balenës…” paralajmëron është paniku moral që ka përfshirë prej kohësh botën. Një frikë nga survejimi, kontrolli dhe ndëshkimi nga vetë sistemet e komunikimit që kemi krijuar dhe shfrytëzojmë çdo ditë.

Në trend

Më shumë
Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Lajme
U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

Lajme
Tërmet i fuqishëm në Turqi - raportohet për dëme materiale

Tërmet i fuqishëm në Turqi - raportohet për dëme materiale

Turqia
Emiliano Martinez shmang përjashtimin gjatë gjuajtjes së penalltive falë një rregulli pak të njohur – ai ngacmoi tifozët e Lille

Emiliano Martinez shmang përjashtimin gjatë gjuajtjes së penalltive falë një rregulli pak të njohur – ai ngacmoi tifozët e Lille

Ligat tjera
“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

Liga e Kampionëve
Ai është më i rëndësishëm se sa mendojnë tifozët e futbollit  - djali i Ancelotti kyç në dhomën e Real Madridit

Ai është më i rëndësishëm se sa mendojnë tifozët e futbollit - djali i Ancelotti kyç në dhomën e Real Madridit

Liga e Kampionëve
Kalo në kategori