0Shares

E kush nuk e pëlqen bakllavanë!

Përbërësit:

▪ 2 paketime kore të holla për bakllava,
▪ 1 kg arra të bluara,
▪ 500 g kumbulla të thata,
▪ 1,5 kg sheqer,
▪ 3 qese sheqer vaniljeje,
▪ 1 l ujë,
▪ 1 limon,
▪ Vaj.

Përgatitja:

Më parë zihet shurupi për bakllava në këtë mënyrë: një lugë sheqer qiteni në tenxhere dhe lëreni në zjarr derisa të bëhet si karamele, transmeton Telegrafi.

Pastaj qitni 1 litër ujë dhe qitni 1 kg sheqer dhe lëngun e një limoni dhe zieni derisa përbërja për bakllava të vlojë. Shurupin për bakllava lëreni në një vend të ftohtë derisa të ftohet.

Kumbullat e thata qitni në tenxhere, qitni sipër shurupin të cilin e keni zier dhe zieni derisa të vlojë, përkatësisht derisa kumbullat të zbuten. Pastaj shurupin e kumbullat ktheni në fillin për bakllava.

Merrni një kore, qitni nëpër të vaj dhe sheqer. Sipër kësaj koreje, vendosni koren tjetër dhe përsëriteni procedurën, pra qitni vaj dhe sheqer. Sipër kores së dytë, vendosni të tretën dhe mbi të qitni vaj, sheqer dhe arra të bluara. Pastaj, në rreth 2 cm nga fillimi i kores rendisni në gjerësi kumbullat e thata.

Pasi t’i keni renditur kumbullat e thata, bëni koret në formë rolate, ashtu që kumbullat e thata të mbeten në mes të rolatës.

Përsëriteni procedurën gjithnjë derisa të shpenzoni të gjitha koret, përkatësisht të mbushni tepsinë në të cilën do të piqni bakllavanë.

Kur të mbushni tepsinë, bakllavanë priteni me thikë të mprehtë në copëza sipas dëshirës. Vajin qiteni në të gjitha prerjet dhe spërkatni sipër bakllavanë me pak vaj dhe ujë, që të mos digjet.

Në furrën e ngrohur më parë në 150 gradë, piqeni bakllavanë rreth 45 minuta apo derisa të skuqet.

Bakllavanë e pjekur nxirreni nga furra dhe menjëherë lageni me fillin e përgatitur dhe të ftohur më parë dhe mbulojeni me folie.

Nëse dëshironi të jetë bakllavaja pak më e thatë, nuk keni nevojë të shpenzoni tërë fillin, por mund t’ia shtoni edhe më vonë nëse do ta dëshironi më të lëngët. /Telegrafi/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)