LAJMI I FUNDIT:

Autostradat miliardëshe të Kosovës

Autostradat miliardëshe të Kosovës

Infrastruktura rrugore ka mbizotëruar investimet në Kosovë këto vitet e fundit. Përveç ndërtimit të rrugëve lokale e magjistrale, janë ndërtuar edhe autostrada që lidhin Kosovën me vendet e rajonit dhe të Evropës. Përqindja më e madhe e buxhetit të Kosovës është ndarë kryesisht për ndërtimin e autostradave.

Aktualisht, në proces të ndërtimit është autostrada “Arbën Xhaferi”, që lidh Kosovën me Maqedoninë, kurse gjatë këtij viti pritet të fillojë edhe ndërtimi i autostradës Prishtinë-Gjilan-Konçul, që lidh Kosovën me Luginën e Preshevës ku jeton shumica shqiptare.

Ramë Çupeva, drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore në Ministrinë e Infrastrukturës në Qeverinë në largim të Kosovës, thotë se punimet në autostradën Prishtinë-Shkup janë duke vazhduar në gjithë gjatësinë e mbetur, duke shtuar se me rritjen e temperaturave punimet po zhvillohen me dinamikë të përshpejtuar.

“Në këto momente janë rreth 33 kilometra trase, ku janë duke u zhvilluar aktivitetet. Sivjet, deri në fund të muajit tetor, pritet që të hapet pjesa deri në Doganaj. Kurse, vitin tjetër pritet të kompletohet traseja deri në Han të Elezit”, thotë Çupeva.

Realizimi i këtij projekti ka filluar në vitin 2014, kurse punët sipas planit duhet të përfundojnë në fillim të vitit 2018. Kjo autostradë, sipas parashikimeve të Qeverisë, do të kushtojë rreth 600 milionë euro.

Ende pa përfunduar autostrada që lidh Kosovën me Shkupin, autoritetet në Prishtinë kanë njoftuar se tashmë është shpallur tenderi për ndërtimin e autostradës së tretë në Kosovë. Bëhet fjalë për autostradën Prishtinë-Gjilan-Konçul, duke synuar ta lidhin Kosovën me korridoret evropiane. Qazim Jonuzaj, menaxher për këtë autostradë nga Ministria e Infrastrukturës në Qeverinë në largim të Kosovës, bën të ditur se sivjet pritet që të fillojë ndërtimi i autostradës me gjatësi rreth 22 kilometra me një çmim prej 130 milionë eurosh.

“Kjo autostradë do të lidhë qytetin e Gjilanit me Preshevën dhe Bujanocin”, thotë Jonuzaj.

Ndryshe, njohës të kësaj çështjeje, përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe ndërtimin e autostradave e konsiderojnë projekt të domosdoshëm dhe të nevojshëm për të ardhmen e vendit, por edhe si projekt të ngutshëm për këtë kohë. /REL/