LAJMI I FUNDIT:

Atletet, malli më i falsifikuar në tregun e Maqedonisë

Atletet, malli më i falsifikuar në tregun e Maqedonisë

Markat tregtare sportive janë prodhimet më të falsifikuara që shiten në tregun e Maqedonisë në tre vitet e kaluara, shkruan gazeta Koha. Sipas kontrolleve të realizuara nga ana e Inspektoratit të tregut, në vitin 2016, mallrat false më të shpeshta kanë qenë atletet “Adidas” dhe “Nike” si dhe çantat luksoze të grave të brendeve “Gucci” dhe “Louiss Vouitton“.

Nga ana tjetër, në vitin 2014 dhe 2015, ndër markat tregtare më të falsifikuara kanë qenë atletet “Nike”, “Adidas” dhe “Puma”. Në parim, institucionet kompetente veprojnë në mënyrë parandaluese, siç është Inspektorati shtetëror i tregut që kontrollon tregun në Maqedoni dhe Dogana, ku vjen malli i importuar dhe falsifikuar. Kina, Turqia, Greqia dhe Bullgaria janë shtetet prej nga më shumë vijnë prodhimet e falsifikuara dhe atë jo vetëm të tekstilit, por edhe ushqimit dhe llojeve të tjera.

Të dhënat tregojnë se në nivel vjetor konfiskohet mall në vlerë prej 10 milionë euro që më vonë shkatërrohet në furrat e Deponisë “Drislla”. Nga Inspektorati shtetëror i tregut thonë se në bazë të Ligjit për pronësi industriale, kryejnë kontrolle lidhur me dyshimet për prodhimet e falsifikuara në bazë të kërkesës së mbajtësit të kësaj të drejte dhe sipas detyrës zyrtare. Në raste se konstatohen shkelje dhe vërtetohet se prodhimi shitet i falsifikuar, atëherë ndërmerren masat ligjore. Inspektorati shtetëror i tregut kryen kontrolle për respektimin e dispozitave të Ligjit për pronësi industriale, duke vepruar më tej në bazë të konstatimeve të verifikuara. Nëse konstatohet shkelje atëherë, prodhimet konfiskohen dhe shkatërrohen.

Ekonomistët thonë se falsifikimi dhe vendosja në qarkullim të palejuar të brendeve botërore është një trend botëror në rritje që nuk mund t’i ik as Maqedonia, por shtojnë se për banorët e shteteve me standard të ulët, blerja e prodhimeve me emra të rrejshëm të brendeve botërore paraqet shpëtim për buxhetin familjar.