LAJMI I FUNDIT:

Assad po përgatit tjetër sulm me armë kimike

Assad po përgatit tjetër sulm me armë kimike

Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se zotërojnë të dhëna për organizimin e një sulmi tjetër me armë kimike në Siri, arsye për të cilën i kanë dërguar një paralajmërim qeverisë siriane.

Shtëpia e Bardhë deklaroi se aktivitetet që po kryhen për realizimin e këtij sulmi janë të ngjashme me ato të kryera përpara sulmit në muajin prill.


Disa dhjetëra persona humbën jetën në sulmin në fjalë, që nxiti presidentin amerikan Donald Trump të urdhëronte një sulm ajror kundër një baze ajrore siriane.

Deklarata e fundit e Shtëpisë së Bardhë paralajmëron presidentin Bashar al Assad se do të paguajë “një çmim të rëndë” nëse një akt i tillë ndodh sërish.

“Një sulm tjetër i regjimit të Assad do të çojë në vrasjen masive të civilëve”, thuhet në deklaratën e Uashingtonit.

Në të theksohet se, “Siç e kemi thënë edhe më parë, Shtetet e Bashkuara ndodhen në Siri për të eliminuar Shtetin Islamik nga Iraku dhe Siria. Por nëse presidenti Assad kryen sërish vrasje në masë duke përdorur armë kimike, ai dhe ushtria e tij do ta paguajnë shtrenjtë”.

Ndërkohë, zyrtarë të Departamentit të Shtetit dhe Pentagonit u kapën të papërgatitur nga kjo deklaratë e selisë presidenciale, duke vënë në dukje se ky qëndrim i SHBA nuk ishte diskutuar më parë me agjencitë e sigurisë kombëtare.

Ndërkohë, ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley deklaroi se Rusia dhe Irani, aleatët kryesorë të Assad, do të mbahen gjithashtu përgjegjës nëse një sulm i tillë verifikohet sërish.

“Për çdo sulm tjetër ndaj popullit sirian do të fajsohet jo vetëm Assad, por edhe Rusia e Irani që e mbështesin atë në vrasjen e popullit të tij”, tha Haley në Twitter.