LAJMI I FUNDIT:

Asnjë arsye t’ia rrahim shpatullat njëri-tjetrit

Asnjë arsye t’ia rrahim shpatullat njëri-tjetrit

Adelheid Feilcke

Po, vërtet BE ofroi vërtet diçka më shumë: Do të ketë më shumë fonde madje edhe projekte konkrete në hapësirën infrastrukturore dhe transportit. Po, perspektiva e anëtarësimit u ripërtëri edhe një herë me zë të lartë. Por, nuk ka vend për të filluar t’ia rrahim shpatullat njëri-tjetrit pas Samitit të Ballkanit Perëndimor në Trieste. Sepse, problemet e këtyre vendeve brenda tyre e mes njëri-tjetrit janë shumë më të thella, sa të mund të zgjidhen me mjetet që u ofruan aty.


Ato jo vetëm që janë të thella, ato janë themeltare dhe nuk kapen sa duhet në rrënjët e tyre edhe nga Procesi i Berlinit, ndërkohë në vitin e katërt të tij. Prandaj, edhe progresi është i vogël, deziluzionimi i madh, e për këto arsye këto procese në vijim e sipër mund të ngecin në çdo kohë apo edhe të ndërpriten.

Ajo shtjella e fuqishme me emrin BE ka kohë që nuk rrëmben më politikisht. Politikanët e vendeve të Ballkanit nuk e shprehin aspak mirënjohjen për vëmendjen dhe dorën e zgjatur me qëndrimin e duhur ndaj vlerave evropiane dhe parimeve demokratike. Vitet e fundit mes politikanëve të Ballkanit ka zënë më shumë vend një lloj neglizhence e rrezikshme, që lejohet nga partnerët e BE më shpesh se duhet e me një mirëkuptim më të madh se duhet për presionet e brendshme politike, por që kryesisht çon në ruajtjen e pushtetit të politikanëve qeverisës gjithnjë e më shumë autokratikë.

Programet e procesit të Berlinit të orientuara shumë nga ekonomia ndjekin strategjinë “Transformim përmes veprimit” dhe shpresojnë që prosperiteti ekonomik të pasohet nga një shoqëri liberale dhe pluraliste. Por më e rëndësishme do të ishte të tregohej vëmendje që këto programe infrastrukturore-ekonomike dhe digjitalizuese të kenë efekt e një spektri sa më të gjerë.

Vëmendja e madhe që po gëzon momentalisht Ballkani, nuk është falë procesit inkurajues të Berlinit, përkundrazi ajo vjen nga krizat e vazhdueshme politike me potencial dhune e forcë shpërthyese idelogjike dhe etnike. Stagnimi ekonomik i vazhdueshëm dhe klientelizmi politik janë arsyeja pse në shumë pjesë të këtyre shoqërive sundon një përzierje e varfërisë, mungesës së shpresës, nxitjes ideologjike me radikalitet ideologjik e fetar. Një koktej i rrezikshëm!

Nga samiti i Triestes doli si rezultat konkret marrëveshja e transportit. Por, suksesi i vogël – që për herë të parë Serbia dhe Kosova vendosën nënshkrimin në një marrëveshje të përbashkët nuk ra në sy – sepse Bosnje-Hercegovina refuzoi nënshkrimin. Pse? Republika kokëforte Srpska me tendencë të fortë pavarësuese bllokoi qeverinë federale thjesht nga parimi i qëndrimit bllokues në politikën e brendshme. Ajo që në Bosnje-Hercegovinë shkakton komplikime të vazhdueshme, mund të kthehet në çdo kohë në një retorikë të nxehtë e bllokadë edhe brenda vendeve të Ballkanit. Serbia nuk e njeh Kosovën, Maqedonia bllokohet për shkak të konfliktit të emrit me Greqinë… e kështu me radhë.

Por, këto çështje – bërthama konfliktesh nuk trajtohen me vendosmëri në Procesin e Berlinit nga skrupuj të gabuar. Po ashtu, nuk ushtrohet aq sa duhet presion ndaj liderëve politikë të këtyre vendeve, që të respektojnë parimet e shtetit ligjor dhe pluralizmit. Me të drejtë përfaqësuesit e shoqërisë civile në aktivitetet përreth samitit kërkuan në Trieste që BE të flasë hapur si edhe një përthithje më të madhe të aktorëve të tjerë shoqërorë e jo vetëm të vendimmarrësve politike.

Stabiliteti politik në Ballkan është edhe stabiliteti ynë, deklaroi kancelarja Merkel në Trieste. Por, ekziston rreziku që BE me mendjelehtësi lejon garantimin e këtij stabiliteti nga elitat pushtetare të atjeshme dhe sakrifikon për këtë pluralitetin e mediave dhe shoqërisë civile të ngritur me mundim këto vite. Për sa kohë që fuqia joshëse e BE-së ende ekziston dhe për sa kohë ajo është e përfshirë në proceset e ndërtimit dhe transformimit, ajo duhet ta kërkojë më fort zbatimin e rregullave të lojës demokratike e t’i mbështesë ato. Sepse vetëm ato do të sigurojnë hovin ekonomik dhe të sjellin perspektivë për njerëzit në vendet e Ballkanit, të cilët aktualisht me mijëra e thonë fjalën e tyre duke u larguar me mijëra nga vendi.