LAJMI I FUNDIT:

Asetet e mikrofinancave rreth 157 milionë euro

Asetet e mikrofinancave rreth 157 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar se gjatë tremujorit të parë të vitit 2017, asetet e sektorit mikrofinanciar arritën në 156.8 milionë euro, duke shënuar rritje të theksuar vjetore prej 26.2 për qind.

“Kontribuues kryesor në rritjen e aseteve të sektorit ishte rritja e kredive bruto, që kryesisht financohet nga huamarrjet në sektorin e jashtëm, e që dominojnë strukturën e përgjithshme të aseteve të sektorit mikrofinanciar me 75.4 për qind), pasuar nga lizingjet me 14.5 për qind”, thuhet në raportin e BQK-së, për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë, raporton RTKlive.

Aktiviteti kreditor i sektorit mikrofinanciar gjatë tremujorit të parë të vitit 2017 u karakterizua me rritje të theksuar të vlerës së kredive prej 33.6 për qind.
“Ekonomitë familjare, që kanë një pjesëmarrje prej 65.2 për qind në gjithsej kreditë e sektorit, u karakterizuan me rritje vjetore prej 34.4 për qind. Gjithashtu, kreditë ndaj ndërmarrjeve, që përfaqësojnë 34.8 për qind të gjithsej kredive të sektorit, shënuan një rritje vjetore prej 32.3 për qind.

Sa i përket kredive të lëshuara, kategoria ndaj ‘sektorëve tjerë’ shënoi rritjen më të lartë vjetore, pasuar nga bujqësia, tregtia, ndërtimtaria dhe industria”, thuhet në raportin e BQK-së, për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë. /Telegrafi/