LAJMI I FUNDIT:

Artikull i vitit 1938, në “Përpjekjen shqiptare”: Origjina e popullit shqiptar!

Artikull i vitit 1938, në “Përpjekjen shqiptare”: Origjina e popullit shqiptar!

Një shkrim i Mustafa Krujës botuar në revistën “Përpjekja shqiptare” në maj të vitit 1938, me titullin “Origjina e popullit shqiptar”, ende ruan një dozë aktualiteti sa i takon temave të debatit historik. Siç e thotë në mbyllje të shkrimit të tij Kruja, “Qëllimi praktik i këtij shkrimi âsht me bâmë të njohun shqiptarit veten e vet si pjestar të nji kombi. A, mâ mirë me thânë, nji pjesë të vogël të vetvetes, atê qi i përket origjinës”. Sa i takon lexuesit, Kruja thotë se “kemi pasun para sŷsh, si lexues, mâ fort intelektualin mesatar, e me këtê spjegohet edhe stili i përdorun e disa përsritje në kambëngulje”. Shkrimi është botuar me pseudonimin Shpend Bardhi.

ORIGJINA E POPULLIT SHQIPTAR


Nga: Mustafa Kruja

Ka qênë nji kohë kur fort pak njihej në botë Populli i ynë. E na vetë përgjithsisht s’e njohim as sod ! E errët historija e tij e e koklavitun shumë, e trazueme me atê të popujve tjerë mâ të mëdhaj me të cilët fati e kishte vûmë në të përpjekun e ndën të cilën i ishte dashun t’ulte qafën : kolosi Romak, vala Sllave, duhija Turke. Nj’aty kah mbarimi i Mesjetës shfaqet për pak kohë si nji meteor i shkëlqyeshëm para sŷve të bindun të botës, por prap eklipsohet. E gati harrohet.

Pesha e nji vargu të gjatë shekujsh parahistorikë e historikë të kaluem me luftime të pandame vetroje e ka lodhun e rrëgjuem tepër, por s’ka mundun t’a shuej. Âsht gjallë se gjallë. E nj’aty kah fillimi i shekullit të kaluem studjuesit e Oksidentit nisin të merren me tê. Nga gjânat qi ka mbërrîjtun të shpëtojë prej rrenimit të kohës si veçorí të çmueshme të tija, ajo që u bie në sŷ mâ fort dijetarëvet âsht gjuha që flet. Shkênca e gjuhsís krahasore porsa ka lemë.

Por rritet e zhvillohet me hapa të shpejta e plot shëndet e gjallsí. Kërkon fusha e lândë studimi e krahasimi.

Qysh në vjetin 1835 J.v.Xylander u muer me shqipen në veprën e tij “Die Sprache der Albanesen”, tue i njohun ksaj origjinën indoevropjane. Vijnë mbas tij dijetarë tjerë, si A. Shleicher e G. Stier (Ist die albanesische Sprache eine indogermanische? në Allgemeine Monatschrift ( 1854, f. 860 – 872); por sidomos Franz Bopp-i që në “Ueber das Albanesische”, (1855), e provon me mâ shumë hollsina e me argumenta mâ të bindshëm karakterin indoevropjan të gjuhës s’onë.

Mirë po mbetej nji problemë e dytë mjaft e rândë e e rândsishme për t’u zgjidhun. Cila ishte veriga që e lidhte shqipen t’onë të soçme me indevropishten mijvjeçare ? Ishte folun për ilirishten, por rrëshqitas e me ndoshta, pa prova. I pari që u mundue me e qarue me nji farë metode këtë lidhní, tue u pështetun mbi emna të përveçëm ilirikë, qe J.G. von Hahn-i në veprën e tij “Albanische Studien”, botuem qysh në 1853. Nji vepër me rândsí themelore për Albanologjín.

Por vlera e studimit të Hahn-it shtohet shumë ma tepër ndër sŷt t’anë kur shohim se nji kompetent i madh si Gustav Meyer-i (1850 – 1900), mâ i madhi Albanolog i shekullit të kaluem, vjen e e vërteton plotsisht dhe themelon mbi tê të tânë veprimin e tij për gjuhën shqipe. E çfarë veprimi ! E ç’fat i keq për gjuhën t’onë vdekja e tij aq e pakohshme.

Me gjithë qi gjenealogjija ilirike e shqipes ka pasun e ka edhe sod antarë të bindun ndër gloto – albanologë, shumë tjerë, ndër të cilët meriton të përmêndet veçan Pederseni, e lidhin gjuhën t’onë me thrakishten e jo me ilirishten. Albanologu serb z. Bariq thotë se shqipja âsht nji thrakishte e ilirizueme, e kryealbanologu i soçëm z. Prof. Norbert Jokl e tregon te rrjedhun sa prej njânës aq prej tjetrës, me nji fjalë si nji gjuhë thrako – ilirishte.

Këtyne mêndimeve qi nuk largohen aq shumë prej shoqi-shoqit, duhet t’u shtojmë edhe dy tjera krejt të ndryshme. Njâni âsht i gjuhtarit gjerman August Schleicher, qi e vên shqipen në nji degë indevropjane bashkë me italiken e greqishten e vjetër, të cilat ai i përmbledh ndën emnin “grupi pelazgjik”. Ky mêndim nuk âsht pamë i dênjë prej gjuhtarvet mâ të shquem m’u marrë para sŷsh.

Tjetri mêndim âsht krejt origjinal dhe me nji rândsí kryekrejet për shqipen e pra edhe për origjinën e popullit t’onë. Âsht mêndimi i nji glotologu nga mâ të dijshmit e shekullit të kaluem, August Friedrich Pott. Ky thotë se shqipja nuk mund të jetë veçse nji gjuhë iliro – pelazgjike paraindoevropjane.

Pra, mbas mêndimevet të shfaquna prej kompetentavet mâ të mëdhaj qi ka njohun bota deri sod në fushën e gjuhsís, shqipja qênka nji gjuhë iliro – indevropjane (G.Meyer), ase thrako – indevropjane (Pedersen), ase iliro-thrako indevropjane (Jokl), apo iliro-pellazgo-paraindevropjane (Pott), tue e lânë mbë nj’anë “grupin pelazgjik” të Schleicher-it.

***

KËNDUESI i kujdesshëm qi na ka ndjekun deri këtu e ka kuptue se origjinën e gjuhës na e kemi marrë si origjinë të popullit qi e flet, e nuk do të zêmrohemi aspak në qoftë se ai s’ka pritun qi të na ndjekë deri në fund për me formulue në mênde të vet rezervat qi ndiell ky identifikim aprioristik. Kemi m’u spjegue.

Por mâ parë e mâ dalë më duket se kënduesi profan, qi s’ka mâ pak të drejtë se i dijshmi, e dëshiroj qi mos të ketë as mâ pak kureshtë e lakmí se ky, për me e njohun origjinën e popullit të vet, më duket pra, po thom, se ai ka nevojë të kuptojë mirë se kush janë këta Indevropjanë, këta Thrakë e këta Ilirë qi po i paraqisim si stërgjyshën të largët, fort të largët të Shqiptarvet.

Në dritën e shkêncës qi kemi përmêndun qysh në krye të shkêncës së gjuhsís, tue krahasue gjuhët e foluna prej popujsh të ndryshëm, tue vëzhgue e hetue fjalë e grimza fjalësh e rregulla morfologjike të përbashkëta a të përgjashme në gjuhë të ndryshme, tue studjue zhvillimin historik të këtyne në krahasim të pandamë me shoqja-shoqen, dijetarët e kësaj shkênce kanë mbërrîmë me caktue me sigurí se dikur, në nji kohë parahistorike, disa nga këto gjuhë, qi ndër sŷt e profanit s’kanë kurrfarë gjasimi e lidhnije njâna me tjetrën, s’kanë qênë veçse nji gjuhë e vetme e folun prej nji populli të vetëm.

Në këtë mënyrë âsht gjetun se të tâna gjuhët qi njihen sod në faqe të dheut, të gjalla apo të vdekuna, d.m.th. qi fliten edhe sod a që janë folë dikur e sod nuk njihen veçse prej shkrimesh a emnash të përveçëm të mbetun, të tâna këto gjuhë të botës janë dega të dame prej disa trungjesh të vjetra, janë bija, mbesa e stërmbesa të disa gjuhve-nâna qi kanë vdekun mâ para, e prandej ato gjuhë qi kanë lemë prej nji gjuhe-nânë, qi janë damë prej nji trungu të vetëm, ato quhen gjuhna-motra, ase në nji kuptim mâ të gjânë, gjuhna-gjiní.

Nji nga këto trungje të vjetra, nga këto gjuhna qi po i thërrasim nâna, âsht indevropishtja. Shkaku qi thirret kështu âsht se prej saj kanë lemë gjuhët qi janë folë e fliten qysh prej Indísë e gati në të gjithë Evropën. Në kontinentin t’onë vetëm dý gjuhë rrjedhin prej nji trungu tjetër qi s’ka të bâjë me indevropjanishten : finishtja, qi përfshin finlandishten dhe estonishten edhe hungarishtja.

Këto rrjedhin prej trungut uralo-altaik, madje jo prej trungut, por prej grupit uralo – altajik, mbasi me gjithë qi gjuhët e përmbledhuna ndën kët’emën paraqesin përgjasime të mëdhá ndërmjet sosh, dijetarët s’janë edhe të sigurtë qi vijnë prej nji trungu të vetëm. Natyrisht s’kanë të bâjnë me indevropjanishten as gjuhët e atyne allogjenve të shpërdamë andej e këndej në mes të popujve t’Evropës, si për shêmbull Çifutnit (semitikë) ose Turqit, uralo-altajikë edhe këta. Mâ në fund duhet të përjashtojmë nga trungu indevropjan edhe gjuhën e Baskvet, të cilët janë pa dyshim nji popull fort i vjetër n’Evropë, nji popull autokton i gadishullit iberik, ndoshta i vetmi popull paraindevropjan qi ka teprue n’Evropë.

Të gjitha gjuhët e tjera t’Evropës, pra, e bashkë me këto edhe ato t’Indís, t’Iranit e armenishtja, janë dega, gema e bisqe të trungut indevropjan. Me fjalë tjera, para disa mijë vjeç ka qênë nji popull qi flitte këtë gjuhë, indevropjanishten. Ky popull quhej Arja ose Arjan. Nuk dihet me sigurí ku banonte ky popull. Mêndimet e dijetarvet ndryshojnë shumë mbi këtë pikë.

Gjasa mâ e madhja âsht për Evropën lindore a nj’atje ndërmjet Uralesh e detit Kaspjan, n’Azín perëndimore. Prej këtij populli janë shkëputun fise mbas fisesh shekuj mbas shekujsh dhe kanë mbsŷmë në drejtime të ndryshme, do për Evropë e tjerë për Azí, tue u ndalun me vjet, dhetvjeta a qindvjeta ndër krahina të ndryshme deri qi kanë zânë vênd diku për gjithmonë. Shkaqet e këtyne shpërngulje popujsh hŷjnë në kompetencën e Sociologjís me i tfillue.

Për studimin t’onë këtu do të mjaftojë m’u dijtun se të gjithë popujt e Evropës, veç atyne pak përjashtimeve qi u shënuen, dhe popujt e kontinentevet të tjerë të shpërngulun prej Evrope në kohna historike, si edhe nji pjesë e madhe Azjatikësh, kanë për origjinë atë popull të moçëm parahistorik qi quhej Arjan e gjuhën e të cilit dijetarët e kanë quejtun indoevropjane.

Këta Arjanë, tue u shpërdamë e hallakatun anembanë, tue u damë e larguem fise-fise nëpër treva të ndryshme, tue u kapërthyem e përpjekun edhe me popuj tjerë nëpër viset e shkeluna prej sish, brez mbas brezi e shekull mbas shekulli, âsht e dijtun se nuk mund t’i shpëtonin zhvillimit të natyrshëm qi solli ndryshime të mëdhá në gjuhë, zakone e kulturë të tyne. Kështu prej nji populli të vetëm lindën e u formuen nji shumicë popujsh indevropjanë, të cilët u danë edhe këta mâ vonë ndër dega të ndryshme a u ndryshuen vetë tue formue popuj të tjerë mâ të rij, ata qi rrojnë sod.

Kur vallë filluen Arjanët të shpërngulen nga atdheu i tyne origjinar? As ksaj pyetjeje s’ka mundun kush deri sot t’i përgjigjet më nji mënyrë të preme, mâ se asaj tjetrës qi i përket vêndit. Por me nji numër rrumbullak e me shumë gjasë kjo shpërngulje ka nisun nja pesëmijë vjet parandej. Tue lânë mbë nj’anë popujt tjerë indoevropjanë t’Evropës e aq mâ fort ata t’Azís, këtu do të merremi në mënyrë të posaçme vetëm me ata që erdhën e zûnë vênd në gadishullin ballkanik rreth kësaj treve.

Para se të fillojshin me i a beftun në gadishullin t’onë fiset arjane, ndoshta aty kah gjysma e mijvjetit të tretë para Krishtit, ky vênd ishte i banuem prej popujsh autoktonë, qi kishin nji qytetnim neolitik. Por këtu duhet të shënojmë, për profanin, se fjala qytetnim s’ka atë kuptim qi i epet sod, veç don me thânë nji mënyrë jete kolektive. Kishin nji qytetnim neolitik, pra, don me thânë qi për nevojat e tyne përdorshin vegla të punueme prej guri, se metali ishte ende i panjohun për ta.

Ç’ishin këta popuj pararjanë të Ballkanit? Si quheshin? Auktorët e vjeter grekë e shumë tjerë nga të rijtë i kanë quejtun Pelazgj, sidomos ata të Ballkanit jugor. Por do kritikë janë kundër këtij emni, tue thânë se Pelazgjit s’kanë qênë veçse nji fis helen i Thesalís, qi mâ vonë ka ndërrue emën e âsht quejtun Thesal, e prej emnit të tij ka lemë edhe ai i krahinës. Bukur. Për tezën qi jemi tue zhvillue në këtë studim emnat kanë, si gjithmonë e gjithkund, nji rândsí krejt relative. Rândsín kryesore e ka jo emni, por gjâja vetë qi bár emnin. E këtu popujt qi banojshin në sinisín ballkanike para Indoevropianësh. E pra, për me largue ç’do keqkuptim, ata popuj na po i thërresim këtu paraindevropjanë ase pararjanë.

Popujt arjanë qi kanë ardh’e mbushun gadishullin ballkanik në kohna të lashta parahistorike, tue u varë prej Veriu kah Juga e tue ndërrue karakterin etnik e qytetnimin e Pararjanvet me të vetin kanë qênë Helenët (Grekët e hershëm), Thrakët, Maqedonët dhe Ilirët (Illyrët). Nuk mund t’i dijmë me siguri epokat e shkeljes së tyne në Ballkan.

Por mund të gjindemi fare afër së vërtetës tue pranue për Helenët si datë mâ të vonë shekullin XXI para Krishtit. Fill mbas sish i a mbërrîjnë Thrakët e njâni mbas tjetrit Maqedonët e Ilirët, aty kah shekujt XVI e XV para Krishtit. As ky vargim s’âsht krejt i sigurtë. Mâ e shumta e dijetarëve vênë në krye të këtij vargu Helenët, por nuk mungon edhe ndonji qi vên si prîsa Ilirët.

Këta popuj, përgjithsisht e sidomos për kohnat parahistorike, nuk duhet t’i mêndojmë të përmbledhun secilin në nji organizëm politike kombtare mbas kuptimit qi kemi na sod për nji Shtet me kufîj të caktuem. As nuk âsht vêndi këtu qi të flasim për institutat politiko – shoqnore të cilit do prej sish. Me gjithë këtê nji idè afrore mbi trevat qi kishin zânë ata në Ballkan âsht mirë t’a ketë kënduesi për qëllimin e këtij artikulli.

Helenët qysh në fillim kishin zânë vênd mû në Jugë, atje ku shohim sod fqîjt t’onë Grekët, bijt e tyne, e ku fati i njerzís i kishte çue për t’i dhânë botës dritë e jetë shpirtnore me atë gjení të frymzueme prej hyjve t’Olimpit, si nji diell të shkëlqyeshëm e t’amshueshëm.

Thrakët kishin zânë gjitha anën lindore ndërmjet Egjeut, Marmarás, Detit të Zi, Danubit, Moravës e Strumës.

Maqedonët piqeshin në Jugë me Helenët, me Egjeun nëpër gatishullin e Halqidikës, në Lindje me Thrakët, në Perëndim mbërrîishin në nji vijë vertikale qi shkonte prej Pindit deri përmbi liqênin e Prespës, dhe në Verí në nji vijë horizontore qi shkon nëpër qytetin e Shkupit e piqet në Lindje me Thrakët e në Perëndim me Ilirët.

Ilirët, mâ në fund, kishin në dorë të gjithë pjesën perëndimore të gatishullit ballkanik, qysh prej gjînit të Nartës (Arta, motit Ambrakija) e deri në Verí t’Adrijatikut, dhe të tânë anën verijore përmbi Maqedonín. Në Verí-Lindje piqeshin me Thrakët.

E përsrisim qi këta kufîj nuk duhen marrë si të përpiktë, si t’ishin kufîj Shtetesh të ksokohshme, por fare afrisht” (sic.).