LAJMI I FUNDIT:

Argjentina eliminohet prej Davis Cup

Argjentina eliminohet prej Davis Cup

Argjentina, kampione e botës për meshkuj në tenis, është eliminuar që në raundin e parë te këtij turneu.

Tenistët argjentinas, që në nëntor u shpallën kampionë bote pasi mundën Kroacinë në finale, u eliminuan dje nga Italia.


Edhe pse ndeshjet u luajtën në Buenos Aires, tenistët vendës nuk përfituan, duke u mposhtur 3-2 nga “azzurrët” në këtë fazë të turneut.

Italia kaloi ditën e premte në avantazh 2-0 me ndeshje, ndërsa të shtunën erdhi rikuperimi i tenistëve argjentinas, që barazuan 2-2 me ndeshje.

Gjithçka u vendos në sfidën e pestë, ku Fabio Fognini mposhti 3-2 pas 4 orësh lojë argjentinasin Guido Pella, duke i dhënë suksesin Italisë në këtë turne.

Një eliminim surprizë i kombëtares argjentinase, ku ndikoi shumë mungesa e Juan Martin Del Potro, njeriu që i dha suksesin ekipit tri muaj më parë.