LAJMI I FUNDIT:

Apple teston iPhone 6 dhe iOS 7

Apple teston iPhone 6 dhe iOS 7

Me sa duket, Apple ka filluar të testojë versionin e ri të telefonit të saj të famshëm – iPhone 6, si dhe gjeneratën e re të softuerit të saj – iOS 7.

Me dhjetëra zhvillues të aplikacioneve të Apple thonë se në aplikacionet e tyre kanë parë referenca të cilat lidhen me iPhone 6, dhe iOS 7, raporton The Next Web.

Të dhënat e aplikacioneve u kanë ndihmuar zhvilluesve të identifikojnë pajisjet dhe sistemet operative që përdoren në aplikacionet e tyre.

Modeli aktual i iPhone, iPhone 5 është regjistruar sikur iPhone 5,1 ndërsa “modeli tjetër i telefonit” shihej si iPhone 5,2. Për t’i shtuar edhe më shumë këto dyshime, në aplikacione është vërejtur edhe IP adresa, e cila me sa duket vjen nga Cupertino, Kaliforni, vendi ku Apple i ka zyrat e saj qëndrore.

Sipas analistëve të tregut, Apple menjëherë ka filluar të mendojë për gjeneratën e re të iPhone, dhe se pajisja do të paraqitet në treg më vonë gjatë këtij viti.

Analisti i Topeka Capital Markets ka thënë në një shënim për investitorët se sipas vlerësimeve dhe të dhënave të tyre, iPhone i ri do të vijë në më shumë ngjyra, dhe jo vetëm në versionin bardh ose zi, siç ka ndodhur deri më tani.

Për më shumë, në shënim thuhet se Apple tani do të ofrojë të njëjtin model të telefonit edhe në më shumë dimensione të ekraneve, dhe jo vetëm një standard për iPhone-in e ri. / Telegrafi /