LAJMI I FUNDIT:

Antihistori(r)a

Hasan Prishtina ishte njëri ndër udhëheqësit më të fuqishëm, më vizionar dhe më të pakompromis të lëvizjes gjithëshqiptare për pavarësi. Udhëheqja e tij e suksesshme i shqetësonte pa masë ideologët dhe udhëheqësit serbë, të cilët, bazuar në raportimet diplomatike, po e shinin te ai njeriun më të rrezikshëm që mund të bashkonte territoret e shkëputura të Shqipërisë duke rrezikuar ambiciet e tyre kolonialiste.

Çlirimi i Shkupit nga perandoria osmane, nga forcat e kryengritjes shqiptare, tregonte se ata e kanë krejtësisht të çartë se çka duhet të bëjnë. Prandaj, qeveritarët serbë u alarmuan dhe filluan lojën e përçarjes dhe korruptimit të cilën nuk e kanë ndalur as sot. Ata më tepër preferonin njerëz analfabetë dhe të manipulueshëm të cilët nuk shkonin përtej luftës kaçake – njerëz ambicioz, të padijshëm dhe të korruptueshëm.


Sidoqoftë, kjo luftë për pavarësi rezultoi me Shqipërinë gjysmake që e kemi sot dhe e cila po e feston 100 vjetorin e ekzistimit të saj si shtet. Pjesa më e madhe e popullsisë shqiptare e cila jetonte në një territor kompakt prej Nishi, Kumanove e deri në Manastiri, falë konfuzionit në kokat e udhëheqësve ushtarakë e politikë të asaj kohe – apo për shkak të dorës serbe që përçante me para e me vrasje – mbeti nën Serbi. Këto ditë edhe Serbia zyrtare e festoi 100 vjetorin e “çlirimit” të Kosovës dhe viseve të tjera të banuara me shqiptarë, nga Perandoria Osmane.

Merita historike për thyerjen e përpjekjeve çlirimtare të shqiptarëve nën Mbretërinë e Serbo-kroato-sllovene (Jugosllavi) kishte veçanërisht mbreti i vetëshpallur Zog dhe më vonë autoritetet turke të cilat nënshkruan konventa gjenocidale për zhvendosjen e popullsisë shqiptare në Anadoll. Trekëndëshi “patriotik” që lidhte Beogradin-Ankaranë dhe Tiranën zyrtare të mbretit të vetëshpallur Zog, po e zbrazte Kosovën dhe Maqedoninë (e sotme) nga shqiptarët. Ndërkohë, aleatët e mbretit Zog po e kolonizonin atë pjesë me serbë e malazezë nga viset shkëmbore të ish-Jugosllavosë. Pasardhësit e këtyre kolonialistëve edhe sot e kësaj dite e mbajnë peng pavarësinë e Kosovës.

Mbreti “patriot” i ardhur dhe i mbajtur në pushtet nga qeveritë serbe që bënë gjenocid mbi pjesën më të madhe të popullit shqiptarë, u rivarros me nderime shtetërore dhe me nderimin e përfaqësueses formale të Kosovës, e cila për çudi edhe e duartrokiti këtë ngjarje.

Njerëzit zakonisht hiqen mënjanë dhe nuk reagojnë kur lavdërohet patriotizmi i “mbretit”, sepse kushdo që konteston “patriotizmin” e Ahmet Zogut, luftohet në mënyrën më të ultë duke e akuzuar si pasues i një figure tjetër po aq diktatoriale, po aq makiaveliste dhe terroriste sa edhe Zogu, e që ishte “mbreti i kuq” i Shqipërisë: Enver Hoxha.

Duke legjitimuar terrorin e zi të Zogut, me terrorin e kuq të Enverit, skena politike shqiptare ende po përpëlitet në mjegullën e konflikteve ideologjike, lojërave të fqinjëve apo fuqive të tjera të cilat kanë interesa të fusin shoqërinë shqiptare në teren të rrëshqitshëm dhe të paqëndrueshëm. Kështu pretendojnë me e nxjerrë popullin tonë jashtë orientimeve evropiane e demokratike me konstruktime që vijnë nga Beogradi apo neosmanistët e sotshëm.

Kushdo që duartrokiti në rivarrimin e eshtrave të mbretit të vetëshpallur, harroi një marrëveshje “patriotike” të tij me qeverinë serbe ku parashihej zhbërja e pavarësisë dhe bashkimi me Jugosllavinë, si dhe lufta kundër lëvizjes çlirimtare të shqiptarëve nën Jugosllavi.

Me angazhimin personal të Kryeministrit të Shqipërisë, këtij njeriu me merita të veçanta për shtetin serb, e të pakta për atë shqiptarë, iu dhanë epitetet e patriotit dhe iu bënë të gjitha nderet komform këtij cilësimi.

Mund të kuptohen emocionet e familjes Zogu për t’i pasur eshtrat e paraardhësit të tyre në tokën e vendlindjes, por cilësimet dhe nderet shtetërore kanë edhe implikime dhe përcjellin mesazhe politike tejet të dëmshme për të ardhmen e shqiptarëve. Ato hutojnë qytetarët dhe thellojnë konfliktet. E ai që nuk e kujton historinë, thonë se e përsëritë!

Nderimi zyrtar i diktatorëve të cilët sunduan me terror shtetëror është akt antiqytetërues? Qofshin të kuq apo të zi! Apo është përqafuar motoja e putinizmit se “ky vend mund të qeveriset vetëm me dorë të fortë”?

Ka mendime se terrorizmi shtetëror, qoftë i zi (zogist) e qoftë i kuq (enverist) përpiqet të legjitimojë strukturat klandestine të krimit andej dhe këndej kufirit dhe të mbajë qytetarët pengë në një luftë antihistorike e të tejkaluar. Kjo pretendon t’u thotë shqiptarëve se zgjedhje tjetër nuk ka: o zogist, o enverist!

Por, zgjedhje ka!

Tejkalimi i konflikteve historike nuk bëhet duke e falsifikuar historinë e as duke i thurë lavde terrorizmit shtetëror dhe krimit! Personalitetet kyçe të këtyre regjimeve, zogiste e enveriste (e këndej edhe titiste, i cili ishte një biçim diktatori paksa më i moderuar), kanë shkuar nga skena biologjikisht. Por, pasardhësit e tyre – qoftë biologjik apo ideologjik – duhet të ulin kokën para qytetarëve të këtij vendi dhe pretendimeve të tyre për një shoqëri demokratike.

Sa herë që përmenden krimet e të kaluarës, duhet të ulin kokën ashtu si e ulën kokën nazistët pas Luftës së Dytë Botërore dhe për një gjysmë shekulli. Kjo filozofi, e shkëputjes nga krimi ideologjik dhe kolonialist, e solli paqen në kontinentin tonë dhe mundësoi lirinë, mirëqenien dhe tolerancën e cila sot mbretëron në Evropë dhe të cilën edhe ne e pretendojmë.

Mesazhet e vizitës së presidentes janë ofenduese, joqytetëruese dhe aspak kombëtare. Pajtimi kombëtar nuk bëhet mbi platformën e glorifikimit të terrorizmit shtetëror dhe krimit, qoftë të kuq apo të zi, por mbi platformën e demokratizimit dhe afirmimit të identitetit kombëtar dhe evropian të shqiptarëve. Evropa është vend i popujve të lirë.

Mesazhi i parë i gabuar i kësaj vizite është se mund të jesh patriot edhe nëse vjen në pushtet me ndihmën e një vendi që ta ka pushtuar e masakruar gjysmën e popullsisë, dhe i cili ende nuk ka hequr dorë nga këto pretendime; se mund të jesh patriot edhe nëse nënshkruan marrëveshje me të se do të zhbësh pavarësinë duke u bashkuar me të; se mund të jesh patriot edhe nëse vret idealistët që luftuan për çlirimin e vendit; se mund të jesh patriot edhe nëse nuk i kryen obligimet shtetërore si kryekomandant i ushtrisë në kohën e rrezikut nga pushtimi; se mund të jesh patriot duke dënuar me vdekje udhëheqësit e lëvizjes çlirimtare sipas kërkesave të pushtuesve.

Kush është këtu patriot?

Pak a shumë është përfolur në media për interesat e kryeministrit të Shqipërisë të ngjashme me ato të ish-mbretit të vetëshpallur Zog, sidomos rreth energjetikës e pronave, por mbetet krejt e paqartë përse zonja Presidente e Kosovës u ngut të shkojë e të flas, e të duartrokas, në një ngjarje e cila nuk shpreh asgjë të mirë për qytetarëve të vendit të saj? Nga mosdija?

Një politikan që e përfaqëson një shtet nuk guxon të arsyetohet me mosdije kur shpenzon tërë atë buxhet për këshilltarë e zyrtarë të tjerë!