LAJMI I FUNDIT:

Analizë – Nga një sezon i dështuar, Interi e ka në duar ri-hapjen e luftës për titull

Analizë – Nga një sezon i dështuar, Interi e ka në duar ri-hapjen e luftës për titull

Natyrisht, për secilin njohës të futbollit evropian dhe Italian, ky titull mund të jetë i tepruar. Madje edhe për vet tifozët e Interit.

Por, ajo që po bën klubi Nerazzur, situata tabelare, kalendari, statistikat dhe të gjitha shifrat e thonë se Interi nuk po bën vetëm rikthime spektakolare në rezultat, por edhe rikthim të pabesueshëm në rrjedhën e sezonit.


Gjiganti italian që ka vite që nuk po merr pjesë në garën elite të futbollit evropian, Ligën e Kampionëve, pasi kaloi nëpër probleme pafund dhe ndërrime të trajnerëve, e të pronarëve, më në fund, duket se ka gjetur rrugën drejt piedestalit të futbollit italian, aty ku ka pesë vite ku zikaltrit kanë munguar.

Gjithçka rreth Interit !
Lexo po ashtu Gjithçka rreth Interit !

Pas një starti të brishtë të sezonit me Roberto Mancinin në përgatitje parasezonale që lanë shumë për të dëshiruar, ndodhi edhe ndryshimi i pronësisë, ku shumica e aksioneve kaluan te gjigantët kinezë të Suning, me në krye pronarin karizmatik, Zhang.

Me teknikun Franck DeBoer u dha shkëndija e parë për kualitetin në grup, atëherë kur u mposht Juventusi, një shkëndijë që shpejt u shua si pasojë e asaj që do të ishte konsekuencë e një eksperience të munguar të teknikut DeBoer në futbollin italian, pas investimeve të bëra në ekip gjatë verës, siç ishin transferimet multi milionëshe të Andrea Candrevas dhe Joao Marios.

Drejtori teknik Piero Ausilio, një nga meritorët që Joao Mario ka përfunduar te Interi.

Me disa humbje rresht dhe rezultate negative ndaj skuadrave të renditura më poshtë në tabelë, pronarët e rinj kinez që ndërruan edhe drejtorët ekzekutivë, shkarkuan trajnerin DeBoer.

Një Inter pa karizëm, pa grintë, pa gjak dhe pa mentalitet fitues – të gjitha këto karakterizuan Interin e fillim sezonit, por jo më.

Kësaj situate i dha fund Stefano Pioli, tekniku me përvojë të madhe në futbollin italian, i cili qysh në start u ballafaqua me një sfidë të vështirë – derbin ndaj Milanit. Një sfidë e dominuar plotësisht nga Nerazzurët, por ku u shfaqën dobësitë në mbrojtje, e që detyruan ekipin të bëjë rikthim në rezultat, rikthim i cili vuri në pah mentalitetin që dëshiron ta krijojë trajneri i ri fjalëpak.

Dëshirë, grintë dhe karizëm – Stefano Pioli me start ëndrrash pa asnjë humbje te Interi.

Pikërisht kjo sfidë e mbetur 2-2 ndaj Milanit ishte një pikënisje drejt një mali të lartë në të cilin duheshin ngjitur Nerazzurët në përpjekje për të rikuperuar vende në tabelë, mal në majen e të cilit gjendet Juventusi që në atë moment ishte i pakonkurrencë, ashtu sikurse në gjashtë vitet e fundit.

Sidoqoftë, situata në Serie A në këtë pjesë të dytë të sezonit që sapo ka filluar po ndryshon, e me të edhe situata e Interit.

Nerazzurët të inspiruar nga Stefano Pioli kanë arritur të martën mbrëma fitoren e shtatë radhazi në të gjitha garat, çka e konfirmon formën e shkëlqyer që po kalojnë zikaltrit.

Dhe, kjo formë nuk është e rastësishme.

7 fitore, në 7 ndeshjet e fundit – e rastësishme?

Prej 21 pikëve sa ishin në lojë që prej se Pioli mori drejtimin e Interit, Interi arkëtoi 16 prej tyre, duke mos pësuar humbje. Vetëm Napoli arriti më shumë pikë gjatë kësaj periudhe me shtatë ndeshje të zhvilluara.

Se Interi po e rikthen mentalitetin fitues të shumë viteve më parë, e demonstron edhe fakti se është skuadra me më së shumti pikë të fituara në Serie A këtë sezon pas disavantazheve – gjithsej 12 pikë të fituara, tri fitore dhe tri barazime. Një indikacion ky që mbrojtja nuk është më e mira në botë.

Pikët e fituara (15) nga disavantazhi:

Inter 2-1 Juventus
Pescara 1-2 Inter
Udinese 1-2 Inter
Milan 2-2 Inter
Inter 1-1 Bologna
Inter 1-1 Palermo
Inter 3-1 Chievo

Dhe teksa telashet në mbrojtjen e Interit i dinë të gjithë, mrekullia që ka bërë Pioli në mesfushë, po diskutohet aktualisht pak në mesin e njohësve të futbollit.

Pioli duke ditur se mesfusha është kyçe për suksesin e tij, në një konstelacion ofensiv tashmë tejet kualitativ, kërkoi nga klubi që qysh në ditët e para të afatit kalimtar të transferojë mesfushorin nga Atalanta, Roberto Gagliardini.

Çfarë basti i fituar ky për Nerazzurët! Qysh në debutim ndaj Chievos, ky djalosh 22 vjeçar shkëlqeu duke pasur statistika të shkëlqyera në mesfushë dhe duke rikthyer balancat në mesfushë, balanca që shumë njerëzve ua kujton Thiago Mottan, i cili dikur ishte bossi në qendër të mesfushës.

Debutimi i Gagliardinit:
Saktësia në pasime – 86.2%
Pasime – 65
Raste të krijuara – 2
Goditje – 3
Ndërprerje të aksioneve – 3
Duele të fituara – 8

Harta e lëvzishmërisë së Gagliardinit në debutimin ndaj Chievos!

Nuk është vetëm transferimi i Gagliardinit mrekullia që ka bërë Pioli në këtë start të sezonit të dytë.

Ai që u cilësua si i transferi më i dështuar, i shumë kritikuari, Geoffrey Kondogbia më në fund po e gjenë veten nën drejtimin e teknikut kryeneç dhe insistues italian, i cili përkundër kritikave i dha hapësirën, e kështu edhe vetëbesimin lojtarit francez.

Paraqitjet e francezit në katër ndeshjet e fundit ishin të shkëlqyera, ndërsa vetëm në duelin ndaj Bolognas, ai kishte 14 topa të rikuperuar, duke dëshmuar punën e madhe në mesfushë, prapa Joao Marios.

I shumë kritikuari Kondogbia po bën kthesën e madhe!

Në anën tjetër, për Joao Marion komentet janë të tepërta. Portugezi që shkëlqeu me Portugalinë në Euro 2016, dhe që i kushtoi 40 milionë euro Interit, po e shpaguan vlerën e vet.

15 duele i fitoi Mario në ndeshjen e të martës ndaj Bolognas, më shumë se asnjë lojtar tjetër, krahas dy asistimeve të tij të shkëlqyera në këtë takim.

Mënyra se si e udhëheq lojën, se si e mbanë topin dhe qasja e tij tekniko-taktike ndaj bashkëlojtarëve, ua lehtëson këtyre të fundit të gjejnë golin. Shembull konkret është goli i Rodrigo Palacios, një pasim i dyfishtë në një territor prej 70 metrave. Vision i shkëlqyer nga Joao Mario, aftësi teknike e shkëlqyer e reprezentuar në këtë rast.

Palacio, Mario, Palacio – gol!

Tashmë Joao Mario ka realizuar pesë asistime në pesë ndeshjet e fundit në të gjitha garat për Interin dhe ai është mëkat që nuk po e gjen edhe golin, ndonëse puna që ai bën në fushë është fundamentale për Interin e Stefano Piolit, po aq sa puna e Iniestas për Barcelonën, i cili po ashtu shënon pak, por rendimentin e ka krucial për katalanasit.

5 asistime në 5 ndeshjet e fundit. Joao Mario i paprekshëm si titullar!

Dominanca e Interit në dy ndeshjet e fundit ishte e pashembullt dhe indikacioni kryesor pse Nerazzurët janë të etur për sukses, janë të etur për të realizuar synimet e tyre.

Për Icardin flitet shumë për shkak të golave të shënuar, por prapa tij jo më pak i rëndësishëm është Ivan Perisic sa i përket sulmit.

Perisic tashmë ka qenë i involvuar në 20 gola (13 gola dhe 7 asistime) në 52 ndeshje në Serie A për Interin, kurse ishte vendimtar në dy ndeshjet e fundit për Nerazzurët, ndaj Chievos dhe Udineses, ku dy herë zikaltrit përmbysën rezultatin. Pa klas, kjo nuk mund të realizohet, dhe Perisic po e dëshmon këtë në fushë.

Gola vendimtar në dy ndeshjet e fundit – Perisic kyç për Interin!

STATISTIKAT – Inter 3-1 Chievo
Goditjet: 31-5
Goditje në portë: 14-4
Posedimi: 66 % – 34%

Dominanca e Interit dhe grinta u potencua më së miri nga portieri i Chievos, Sorrentino, i cili bëri 11 pritje ndaj Interit, më shumë se sa secili portier tjetër këtë sezon në Serie A dhe përkundër kësaj, ai pranoi tri gola. Dhe për këtë, ai ka mbertur pa fjalë duke përshkruar Nerazzurët si të papërmbajtshëm.

“Çfarë na kanë bërë të shtunën. Kisha kohë që nuk shihja një Inter kështu, që të fut frikën. Pavarësisht avantazhit, ata na shkatërruan dhe na mbyllën në gjysmëfushën tonë, sikur të kishin bindjen që herët ose vonë do e kthenin rezultatin”, tha Stefano Sorrentino pas ndeshjes.

Nerazzurët teksa po shijojnë momentin pozitiv prej shtatë fitoreve radhazi, natyrisht se po i hedhin edhe një sy kalendarit dhe rezultateve të fundit.

Interi aktualisht është në vendin e gjashtë, me 36 pikë, 5 pikë larg Napolit që është në vendin e tretë, 8 pikë larg Romës që është në vendin e dytë dhe 9 pikë larg Juventusit që është në vendin e parë, ende, edhe pas humbjes nga Fiorentina në Artemio Franchi.

Shitjet më të gabuara të Interit në histori të klubit! (Foto/Video)
Lexo po ashtu Shitjet më të gabuara të Interit në histori të klubit! (Foto/Video)

Janë edhe 18 ndeshje të mbetura. A kanë të drejtë Nerazzurët të mendojnë për Ligën e Kampionëve, të ëndërrojnë për titull?

Edhe pse të fitimi i titullit do të kompletonte një nga rikthimet më epike të një skuadre për të fituar titull në histori, një pozitë që vështirë se do ta lëshojë Juventusi këtë sezon, matematika dhe forma e shkëlqyer, ashtu sikurse kalendari i përshtatshëm u lejon Nerazzurëve që të bëjnë plane për Ligën e Kampionëve dhe që të jenë në diskutimin për titull, në një moment, kur në dorën e tyre është që kampionatin italian ta bëjnë më interesant.

Interi të dielën luan ndaj Palermos në udhëtim. Pas këtij dueli, do të ketë punë me Pescaran. Që të dy këto duele që llogariten të lehta në letër për Nerazzurët.

Icardi ka “gisht” në 22 gola këtë sezon, më shumë se çdo sulmues tjetër në Evropë.

Nëse seria e fitoreve të Interit zgjerohet në nëntë fitore në të gjitha garat, shtatë në Serie A, më 5 shkurt zikaltrit do ta kenë edhe testin e vërtetë për kredencialet e tyre për vendet e para në tabelë dhe do të kenë në dorë çelësin për ta bërë kampionatin italian tejet interesant.

Duke llogaritur që Juventusi do t’i fitojë dy ndeshjet e radhës, Nerazzurët me një fitore ndaj Juventusit më 5 shkurt në Juventus Arena do të afroheshin me Bianconerët në vetëm gjashtë pikë, me 17 ndeshje të mbetura në Serie A.

Nëse kjo ndodh, atëherë lufta për titull do të ishte më e hapur se kurrë dhe Bianconerët llogaritë nuk do t’i kenë aq të lehta sikur vitet e fundit duke parë edhe Romën në super formë.

Moment i shkëlqyer për të ëndërruar!

Deri atëherë Interi ka përpara edhe dy ndeshje të lehta në letër, por të vështira në terren ndaj Palermos e Pescaras, por tifozët e Interit kanë çdo arsye të jenë krenarë dhe të entuziazmuar me ekipin e tyre që po bën mrekullinë nën drejtimin e Stefano Piolit.

E ndërsa tifozët ëndërrojnë, mbetet të shihet se çka do të ndodhë deri në fund të janarit, dhe në fillim të shkurtit, një fazë kjo, ku pikërisht e kanë në duar vet Nerazzurët që ta hapin luftën për titull, dhe fitoret në Juventus Arena nuk janë utopike për klubin që fitoi gjashtë vite më parë Ligën e Kampionëve, triumfe të tilla ka ditur t’i bëjë kaherë, por tash në anën e tyre do të jetë i gjithë futbolli italian, në një përpjekje për të rikthyer në piedestal një nga skuadrat me historinë më të lavdishme të futbollit italian, në një përpjekje për ta bërë kampionatin italian atraktiv sikurse dikur dhe jo të bezdsishëm sikurse në pesë vitet e fundit.

Dhe kjo, nuk mund të ndodhë pa u kthyer Interi dhe Milani në majen e futbollit italian…

/Telegrafi/

Në trend Sport

Më shumë
Ronaldo largohet papritur nga Arabia Saudite dhe kthehet në Evropë?

Ronaldo largohet papritur nga Arabia Saudite dhe kthehet në Evropë?

Ndërkombëtare

"Unë nuk jam një milioner" - Futbollisti i Malagas kapet nga kamerat duke ia shitur fanellën një tifozi

La Liga
“Haalandi i ri” më në fund do të luajë për Bayern Munichun

“Haalandi i ri” më në fund do të luajë për Bayern Munichun

Bundesliga
Rikthehen fjalët e Jose Mourinhos që i tha për Xabi Alonson pas shpalljes së Leverkusenit kampion

Rikthehen fjalët e Jose Mourinhos që i tha për Xabi Alonson pas shpalljes së Leverkusenit kampion

Bundesliga
Ndoshta penalltia më e keqe e ekzekutuar në histori të futbollit - ylli i Osasunas, fytyra tragjike ndaj Valencias

Ndoshta penalltia më e keqe e ekzekutuar në histori të futbollit - ylli i Osasunas, fytyra tragjike ndaj Valencias

La Liga
Parashikimi i 'çmendur' i Jose Mourinhos për fundin e Ligës Premier po del i saktë

Parashikimi i 'çmendur' i Jose Mourinhos për fundin e Ligës Premier po del i saktë

Premier League
Kalo në kategori