LAJMI I FUNDIT:

Alergjia e syrit

Alergjia e syrit

Nëse keni dyshime në alergji të syrit, mjeku juaj duhet të vërtetojë se simptomat tuaja kanë të bëjnë me infeksion të syrit ose me një konjunktivit alergjik.

Ass. dr. Afrim Shabani, mr.sci.
oftalmolog
tel. 044 208 307


Konjunktiviti alergjik është një inflamacion i mbështjellësit të syrit (konjunktivës) i shkaktuar si pasojë e kontaktit me alergjenë të ndryshëm. Konjunktiviti alergjik diagnostikohet duke bërë kontrollimin e syrit me biomikroskop, një anamnezë e marrë me kujdes për vet pacientin si dhe duke përfshirë edhe një anamnezë familjare pozitive (alergji në familje). Gjatë kontrollit të syrit në biomikroskopi, mjeku duhet të përqendrojë vëmendjen në simptomat e konjunktivitit alergjik, siç është skuqja (hiperemia) e sipërfaqes së syrit (vazodilatatimi i enëve të vogla periferike).

Njerëzit që vuajnë nga alergjitë, shpesh (por jo gjithmonë) kanë edhe alergji të mukozës së hundës (Rhinoconjunctiviti alergic). Zakonisht kemi të bëjmë me një gjendje akute (të përkohshme) të syrit të ndërlidhur me alergjitë sezonale. Megjithatë , në rastet tjera alergjia e syrit mund të shkaktohet nga faktorët e jashtëm, si për shembull: qimet e kafshëve, pluhuri, tymi, parfumet, ushqimi, etj. Gjatë kohës së ekspozimit të syrit nga alergjeni, alergjitë mund të shoqërohen edhe me: djegie, kruarje, fotofobi (ndjeshmëri në dritë).

Pink Eye

Simptomat më të shpeshta të alergjisë së syrit janë: skuqja, ënjtja e syve, kruarjet dhe djegiet e syve, lotim më i shprehur (epifora), ndjeshmëria në dritë, ndjesia e trupit të huaj. Kruarja është simptoma më e shpeshtë dhe paraqitet në 75% të rasteve dhe është më e shprehur në rastet kur kemi një kohë të thatë dhe të nxehtë Nëse në të njëjtën kohë kemi edhe alergji të mukozës së hundë,s kemi edhe kruarje të hundës, mbyllje të hundës, teshtije, kokëdhimbje, kruarje ose dhimbje të fytit.

Alergjenët më të shpeshtë janë: (poleni, pluhuri i shtëpisë, produktet e kafshëve shtëpiake, pikat për sy, etj.).

POLENI – Nëse jeni alergjik në polen, duhet që të kufizoni lëvizjet gjatë kohës kur niveli i polenit është me i lartë (gjatë mëngjesit dhe paradarke), si dhe gjatë kohës me erë. Kur jeni duke qëndruar në një ambient të hapur syzat e diellit ose ato me dioptri mund të ndihmojnë si mbrojtje, që të pengojnë veprimin direkt të alergjenit (polenit) në sy. Zvogëlimin e ekspozimit të polenit dhe të alergjenëve tjerë deri sa gjendemi në ambientet e mbyllura mund ta bëjmë duke mbyllur dritaret, duke përdorë aparatet e patra klimatizuese në shtëpi dhe në automjete, që të mund t’i ikim qarkullimit të polenit brenda hapësirës ku gjendemi.

BB4RM4 Girl with Hayfever

PLUHURI – Nëse jeni alergjik në pluhur, tentoni të zvogëloni ekspozimin ndaj merimangave, mbulesave me material nga leshi, posaçërisht në dhomën e gjumit. Përdorni mbulesat e veçanta anti-alergjike për jastëkët, në mënyrë që lëkura të jetë sa më pak në kontakt me alergjenin. Të pastrohen mbulesat sa më shpesh duke përdorur ujë të nxehtë (min. 130 C). Gjatë pastrimit të dyshemeve, në vend të përdorimit të mjeteve të thata, të përdoren ato të njomat në atë mënyrë që të largohen sa më shumë alergjenë.

KAFSHËT SHTËPIAKE – Nëse kafshët e juaja shtëpiake (qimet, puplat) janë shkaktari i alergjisë, duhet tentuar që ju t’i mbani jashtë shtëpisë sa më shumë që të jetë e mundur. Është shumë e rëndësishme që të ndaloni futjen e kafshëve shtëpiake në dhomën e gjumit, ashtu që të mund të flini në një ambient anti-alergjik. Duhet menduar që në vend të tepihëve të keni parket ose pllaka, sepse tepihu i mban për një kohë të gjatë alergjenët. Gjithmonë t’i pastroni duart mirë pas kontaktit me kafshët shtëpiake. Po ashtu është e nevojshme që sa më shpesh të pastroni rrobat që kanë qenë në kontakt me kafshët shtëpiake.

conjunctivita

TRAJTIMI

Trajtimi bëhet me antihistaminikë (për stabilizimin e mastociteve) dhe përdorimi i barnave antiinflamatore josteroide mund të ndihmojnë.

Nëse vërtetohet alergjeni, atëherë tentohet që sa më pak të biem në kontakt me atë.

Po ashtu, përdorimi i kompresave të ftohta deri sa të fillojmë me pika, mund të ndihmojë, por ka një efekt të shkurtër. /Telegrafi/