LAJMI I FUNDIT:

Aktorët e mëdhenj dhe inteligjenca: Kush janë të mençurit e Hollywoodit?

Aktorët e mëdhenj dhe inteligjenca: Kush janë të mençurit e Hollywoodit?
-->

Cilët aktorë të Hollywoodit kishin kryer fakultetin? Pse Al Pacino me heshtje dhe Jack Nicholson me të folur dëshmojnë mençurinë e tyre? Pse regjisorët mendonin që Julia Roberts është një marroçe? Pse Merly Streep mendon që aktrimi nganjëherë është mazohizëm?

Jeni mësuar të lexoni për më të bukurit, më sharmantët e Hollywoodit. Kësaj here keni punë me më të mençurit. Ndaj, mu për këtë, është i veçantë ky hulumtim që mund ta lexoni te Telegrafi më poshtë.

KËTU “ZOTI KA GISHT”

Tema që do të shtjellohet këtu s’është edhe aq e ndërlikuar. Pastaj, Hollywoodi nuk mund të shquhet edhe si vend ku ka mësymje të njerëzve tepër të mençur. Por, Hollywoodi nuk bën as të nënçmohet në këtë aspekt. Së fundit, gjithë ai biznes që bëhet përmes “Fabrikës së Ëndrrave”, dëshmon se ata, të cilët janë në krye të Hollywoodit, kanë aftësi të jashtëzakonshme. Megjithatë, kur bëhet fjalë për aktorët e Hollywoodit, këtu, si thonë njohësit e kësaj materie, nuk ka vend për farë lëvdatash të mëdha. Shumica dërmuese prej tyre, në fakt, pohojnë se “Zoti ka gisht” për sa i përket talentit të tyre dhe se kjo është e tëra, apo, thënë më mirë, kjo mjafton që ata të jenë tepër të suksesshëm dhe të kenë honorare shtatëshifrore me koeficientë të inteligjencës që njeh vetëm numra dyshifror, jo shumë afër njëqindëshit.

Ta zëmë, aktorët e kalibrit të Clark Gable, James Cagney, Humphrey Bogart, Cary Grant, Fred Astaire, Laurence Olivier, Marlon Brando, Alain Ladd, Clint Eastwood, Montgomery Clift, nuk kanë asnjë ditë fakultet. Henry Fonda së paku ishte regjistruar në Unveristetin e Minnesotas, ndërsa Burt Lancaster braktisi Universitetin e New Yorkut. James Dean dëgjoi ca ligjërata në Unversitetin e Californisë. James Stewart i famshëm, do të ju hyjë edhe më tepër në qejf si aktor që ka diplomuar në Universitetin e Princetonit.

Tek aktoret, Katherine Hepburn kishte kryer fakultetin. Të tjerat i referoheshin dhuntisë natyrore. Kjo mjaftonte.

DAVID DUCHOVNY DHE PUNIMI PËR SAMUEL BECKETTIN

Sidoqoftë, as tani punët nuk janë shumë më mirë në këtë aspekt. Por, këtu ka përjashtime. Ta zëmë, David Duchovny, i cili është kryeprotagonist në serialin e famshëm “X Files”, është shpallur nga revista Movieline si “aktori më i arsimuar në Hollywood”. Duchovny ka diplomuar letërsinë në Princeton dhe pastaj, madje ka doktoruar në Yale. Duchovny madje ka hartuar teza interesante për veprën e Samuel Becketit.

Por, hulumtimi i inteligjencës mes aktorëve të Hollywoodit nuk do të çojë gjëkundi nëse insistohet në diplomat e fakulteteve. Të tillët janë të paktë. Megjithatë, ka aktorë të mençur, aty s’ka dilema. Ta zëmë Jack Nicholson dhe Al Pacino. Këta të dytë nuk kanë farë shkollash prapa tyre, por pakkush ua konteston aftësinë e tyre mentale. Pacino, thonë, është njeri goxha i çuditshëm, sepse përton të flasë për veten dhe për filmat e tij. Inteligjenca e tij pra nuk mund shumë të vërehet në takimin e drejtpërdrejtë. Por, ata që kanë përcjellur karrierën e tij, pohojnë se Pacino është shumë i mençur.

Nicholsoni është tip tjetër. Ai nuk fsheh që gjatë gjithë jetës së vet ka mbledhur mësime prej të tjerëve. Nicholson është në gjendje të merr mësim aty për aty dhe ta adaptojë përvojën e të tjerëve për nevoja të veta. Më në fund, edhe tek rolet e tij, aftësia e tij për transformime është e jashtëzakonshme dhe njëkohësisht është konfirmim i aftësisë dhe mençurisë së tij.

MENÇURIA QË I KUSHTON WILLIAM HURTIT

William Hurt me meritë gjendet në këtë antologji të veçantë. Hurt, me gjasë, nuk e kishte edhe aq vështirë të arsimohet si duhet, sepse familja e tij ishte e njohur si familje me traditë arsimore. Hurt, si i tillë, në shumë raste detyrohej të ishte arrogant ndaj regjisorëve dhe aktorëve të tjerë, të cilët nuk e kuptonin dot se çfarë ky po kërkon. Inteligjenca e tij nisi të bëhej pengesë për angazhimet e tij si aktor dhe shumëkush vlerëson që ky, megjithë talentin dhe aftësitë e mëdha, ende nuk ka treguar se çka di si aktor. Roli i tij në filmin “One true thing”, duket si i përshtatet shumë biografisë së tij: Në këtë film Hurt luan një profesor brilant të universitetit, i cili pas një libri të shkruar, përjeton një bllokim të çuditshëm.

Kevin Spacey i “American Beauty” dhe “L.A. Confidential” është po ashtu aktor, i cili meriton të gjindet në këtë listë. Spacey ka një lloj aktrimi të veçantë, një përzierje të teatrit anglez dhe të filmit amerikan, gjë që e bën atë të krahasohet shpesh me Laurence Olivierin. Këtu, nuk bën të harrohet as Mel Gibsonin, i cili nisi karrierën e tij si një polic hakmarrës në “Mad Max”, ndërsa tani shquhet edhe si regjisor me Oscar në xhep.

Tek femrat, thuaja askush nuk konteston që Meryl Streep është aktorja më e mençur e Hollywoodit. Tek kjo, sidoqoftë, mençuria nuk është bërë pengesë si te William Hurti. Secili që e njeh Meryl Streepin pohon që ajo është një femër shumë elokuente dhe racionale. Regjisorët që kanë punuar me të pohojnë se aktoret tjera, pranë saj, disi turpërohen, sepse ajo aq shumë investon në rolet e saj, thuajse fjala është për role teatri. Pastaj, gjë që është storie në vete, si thonë regjisorët që kanë bërë filma me të, Meryl Streep është në gjendje të luajë shkëlqyeshëm personazhet, të cilat kanë shumë më pak inteligjencë se ajo.

“Aktrimi është një lloj mazohizmi”, pohoi ajo. “Shpeshherë, duhesh veten ta qesish në pozicione, të cilat të irritojnë dhe të nervozojnë. Por, është kjo një lloj dhimbjeje që të magjeps. Aktorët nuk mund të jetojnë pa role, pa aktrim. Dhe unë jam e kënaqur me jetën time si aktore”, pohoi Streep.

JODY FOSTER: JETA PRIVATE, PASTAJ FILMI

Sigourney Weaver është po ashtu e lavdëruar si aktore e mençur. Dihet se Weaver në filmin “Allien” e vetmja i reziston “qenies së huaj”, falë aftësisë dhe urtisë së saj. Kur flet, Sigourney ka një qetësi racionale që të magjeps.

Jody Fosterin me siguri e keni pritur në këtë listë. Ajo ka diplomuar në Universitetin Yale, ka fituar Oscarin për rolet e saj, është producente dhe regjisore. Inteligjenca e saj është spikatur edhe me ruajtjen e jetës së saj private. Pakkush di se cila është në të vërtetë jeta e saj jashtë skenës dhe kamerave. Jody Foster, e cila ngadhënjen ndaj Anthony Hopkinsit në “Silence of lambs”, më tepër çmon jetën e saj private sesa sukseset filmike.

Në fund të kësaj antologjie të posaçme për aktoret më të mençura është, kush tjetër, pos Julia Roberts. Julia është aktorja më e paguar e kohës së sotme me diku 20 milionë dollarë honorar për një film. Me të gjitha kontroversat që e kanë përcjellë karrierën e saj dhe jetën private, Julia ka ruajtur imazhin e aktores së madhe dhe të mençur. Nuk do të besoni që në fillim të karrierës, regjisorët, mbase të dhënë pas graciozitetit dhe bukurisë së saj, mendonin se ajo është një marroçe që nuk di gjë prej gjëje. E dini që në filmin “Pretty Woman” që e popullarizoi tej mase, ajo luante rolin e një lavireje, në të cilën dashurohet Richard Gere. Duket se roli i saj në filmin “Erin Brockovich”, ku ajo luan një avokate të çuditshme, por shumë të shkathtë, është pasqyra më objektive për jetën reale të saj. Tani dihet që regjisorët i përkulen asaj.

Ndërkaq, aktorët që raportohen për IQ të kartë janë: James Franco (130), Lisa Kudrow (154), David Duchovny (147), Natalie Portman (140), Nicole Kidman (132), Steve Martin (142), Matt Damon (160), Ashton Kutcher (160), Jodie Foster (132), James Woods (184), Geena Davis (140), Quentin Tarantino (160), Sharon Stone (154)… /Telegrafi/