LAJMI I FUNDIT:

AKP: Nuk do t’i kompensojmë milionat e investuara nga ish-blerësit (Video)

AKP: Nuk do t’i kompensojmë milionat e investuara nga ish-blerësit (Video)

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), nuk do të bëjë asnjë kompensim për investimet që i ka bërë ish-blerësi i Hotelit Grand. Ndërsa, për minierën e Goleshit, AKP-ja do t’i respektojë vendimet e gjykatës që j jep drejtë ish-blerësit t’ia kthejnë investimet që ka bërë në minierë, kanë thënë zyrtarët e AKP-së.

Jozyrtarisht, KosovaPress, nga burime brenda AKP-së, merr vesh se ish blerësi i Goleshit ka të drejtë të paraqesë kërkesë për kthimin e mjeteve të investuara në minierën e Goleshit, vetëm atëherë kur miniera i nënshtrohet procesit të likuidimit.


Ndryshe, drejtori menaxhues i AKP-së, Ekrem Hajdari, ka thënë se AKP do të përgatisë për privatizim këto asete, ashtu sikurse edhe e parasheh ligji i AKP-së, si dhe duke u koordinuar edhe me Qeverinë e Kosovës për shkak se konsiderohet se këto asete janë më rëndësi strategjike.

“Pasi Agjencia Kosovare e Privatizimit i ka tërhequr aksionet e Ndërmarrjes së Re Grand Hotel në vitin 2012 dhe pasi të gjitha procedurat gjyqësore lidhur me këtë veprim ligjor të AKP-së kanë përfunduar me vendime gjyqësore përfundimtare në favor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, kjo ndërmarrje, me vendim të Bordit të Drejtorëve të AKP-së, është vendosur në likuidim më datën 2 shkurt 2015. Gjatë procesit të likuidimit, ‘Unio Commerce’ (Zelqif Berisha) ka paraqitur ndër të tjera edhe tri kërkesa kreditore sa i përket kërkesës për kompensimin monetar për fitimin e humbur prej 20 milionë euro, kërkesës kreditore për kompensimin monetar për borxhin prej tre milionë euro, kërkesës kreditore për kompensimin monetar për kompensimin e investimeve në vlerë të pretenduar prej 17.2 milionë euro, si dhe kërkesës kreditore për pronësi të aseteve të Ndërmarrjes së Re Grand Hotel. Sipas dispozitave ligjore në fuqi për procesin e likuidimit dhe sipas dëshmive ligjore, Autoriteti i Likuidimit ia ka refuzuar të katër këto kërkesa kreditore si të pabazuara në ligj”, thuhet në përgjigjen e zyrtarëve të AKP-së.

Ndërsa, ish-blerësi i minierës së Goleshit, Hysni Zogaj, vetëm deri në vitin 2013 kishte investuar mjete në vlerën financiare 24 milionë euro, kurse në vitin 2014 edhe katër milionë euro të tjera që gjithsejtë janë 28 milionë euro. Mirëpo, Agjencia Kosovare e Privatizimit, me një vendim mbi vendim i ka marrë fabrikën nën menaxhim me arsyen se nuk i ka përmbushur kushtet e kontratës. Sot zyrtarët e AKP-së nuk specifikojnë nëse këtij blerësi do t’i bëhet kompensimi financiar, por në përgjigjen zyrtare thuhet se aktvendimi i lëshuar nga Kolegji i Apelit i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për refuzim të ankesës se ish-blerësit/paditësit është përfundimtar, pasi që ky Kolegj është instanca përfundimtare gjyqësore lidhur me ndërmarrjet shoqërore, përkatësisht AKP-në.

“Sa i përket ankesave në procesin gjyqësor për Ndërmarrjen e Re MIM Golesh, AKP ka njoftuar publikun e gjerë lidhur me vendimin përfundimtar Aktvendimin AC-I-15-0145-A0001 nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës (DHPGJSK). Me këtë aktvendim i është refuzuar si e pabazuar ankesa e paditësit, si dhe është vërtetuar Aktgjykimi i Kolegjit të Specializuar të DHPGJS C-I-14-0022, i datës 27.05.2015”, thuhet në përgjigjen e zyrtarëve të AKP-së.

Ish-blerësi ishte ankuar edhe më parë në Kolegjin e Specializuar të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, duke e kundërshtuar vendimin e AKP-së për tërheqje të aksioneve dhe për vendosjen e kësaj ndërmarrje nën administrimin e drejtpërdrejt të AKP-së, ndërkaq kishte kërkuar pezullimin e këtyre vendimeve. Mirëpo, Kolegji i Apelit e kishte vlerësuar si të pabazuar kërkesën e ish blerësit për masë të përkohshme, duke i dhënë kështu të drejtë AKP-së në vendimet e ndërmarra.

“Aktgjykimi thekson se vendimet e atakuara të marra nga AKP-ja janë të bazuara në ligj dhe se vendimet e AKP-së për të tërhequr aksionet dhe rimarrë kontrollin mbi kompaninë janë lëshuar në përputhje me rregullat procedurale në fuqi”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

Me konsolidimin e Qeverisë së re, do të merret vesh edhe mënyra se si do të trajtohen këto asete. /KP/