LAJMI I FUNDIT:

50 mijë vende pune në Gjermani, këto janë kriteret për aplikim

50 mijë vende pune në Gjermani, këto janë kriteret për aplikim
-->

Mjafton një zanat për të depërtuar në tregun gjerman të punës. Janë 50 mijë vende të lira të shpallura nga Gjermania, por jo të gjitha këto kërkesa do të plotësohen prej aplikantëve shqiptarë.

Drejtori i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Artur Micko, sqaron për gazetën të gjitha procedurat që do duhet të ndiqen prej atyre që janë të interesuar. Kualifikimi i duhur dhe njohja e një gjuhe të huaj janë dy kriteret bazë që kërkohen. Përmes një interviste dhënë për gazetën, Micko thotë se misioni i SHKP në gjithë këtë proces është thjesht dhe vetëm informues. Në çdo zyrë pune do të jetë një sportel i posaçëm që do të shërbejë për të orientuar qytetarët mbi hapat që duhet të ndjekin. Sa i takon listës së profesioneve që kërkohen, është e larmishme, duke filluar nga mekanik, agronom, hidraulik dhe deri tek infermierë, mjekë dhe farmacistë.

Kjo kërkesë e shtetit gjerman për të mbushur boshllëqet e tregut vendës me forcë punëtore të kualifikuar ka ngjallur interesin e shumë të rinjve, të cilët u janë drejtuar zyrave të punës për të aplikuar. Mësohet se vetëm në harkun e më pak se dy viteve janë larguar nga vendi ynë rreth 800 profesionistë. Pjesa më e madhe prej tyre janë mjekë dhe infermierë. Dëshira për të lënë vendin nuk është nxitur vetëm prej kushteve më të mira, por edhe prej pagave më të larta.

Gjermania ka ofruar mundësi punësimi, duke shpallur 50 mijë vende të lira pune. Cilat janë profesionet më të kërkuara?

Portali zyrtar gjerman “Make it in Germany” http://www.make-it-in-germany. com/ publikon prej shumë kohësh vendet vakante në Gjermani, ashtu sikurse publikojmë edhe ne në faqen zyrtare të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, vendet vakante online. Ka profesione të ndryshme që kërkohen, që në shumë raste janë shumë specifike, si për shembull profesionet që kanë të bëjnë me përpunimin e metaleve, mekatronikën, profesionet elektrike dhe elektroteknike, TIK, sigurimi teknik në ndërtesa, mashinist treni, mjekësi dhe kujdesi shëndetësor etj.

Ministri Klosi ka thënë se nuk ka kuota të përcaktuara për vendin tonë dhe se procesi i aplikimit është edhe konkurrim nga ku fiton më i miri… 

Po. Nuk ka kuota të përcaktuara për asnjë vend, d.m.th., as për vendin tonë. Theksoj edhe një herë se këto vende pune ofrohen për të gjithë të interesuarit, brenda dhe jashtë BE-së, si dhe më gjerë.

Të mbetemi pak te mënyra e aplikimit, çfarë praktike ndiqet dhe cilat janë kriteret e përzgjedhjes?

Procesi i aplikimit është i hapur për të gjithë, nuk ka kritere paraprake, qofshin këto moshore, gjinore etj. E vetmja kërkesë që duhet përmbushur është kualifikimi i duhur për vendin e punës. Pra në këto kushte mund të aplikojnë të gjithë ata që plotësojnë kushtet për të përfituar një vend pune, ku natyrisht kërkohen njohuri të gjuhës së huaj, në të shumtën e rasteve gjermanisht, si dhe një dëshmi profesionale e njohur në Gjermani.

Në faqen e sipërpërmendur përshkruhen në mënyrë të detajuar dhe të hollësishme procedurat e aplikimit në 4 gjuhë, përkatësisht në gjermanisht, anglisht, frëngjisht dhe spanjisht. Sa i takon pozicionit që do të ketë Shërbimi Kombëtar i Punësimit në këtë proces,më duhet të qartësoj se roli ynë do të jetë thjesht dhe vetëm informues. Në çdo zyrë pune do të ngrihet një sportel i posaçëm, që do të informojë qytetarët e interesuar mbi hapat që ndiqen. Dy ditë më parë, në prezencë të ministrit të Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, u hap Qendra Gjermane e Informimit për Migracion, Arsim profesional dhe Karrierë (DIMAK). DIMAK Albania, së bashku me stafin e SHKP-së, do të ofrojë në një qendër të vetme informacione në lidhje me mundësitë dhe rreziqet e migracionit, si dhe këshillime në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me qasjen në tregun e punës në Shqipëri dhe Gjermani. Qendra që është hapur tashmë në Tiranë, nuk do të jetë e vetmja. Të gjitha zyrat tona të punës do të jenë të përgatitura dhe të trajnuara për të dhënë informacionin e nevojshëm.

A ka afate të përcaktuara, domethënë sa kohë duhet nga intervista deri në firmosjen e kontratës?

Nuk ka afate të përcaktuara, intervista mund të realizohet shpejt dhe kontrata mund të firmoset pas përzgjedhjes. Më tej fillon procedura për aplikimin për vizë, sepse leja e punës duhet të shoqërohet dhe me lejen përkatëse të qëndrimit në Gjermani, që nënkupton aplikimin për vizë pune në Ambasadën Gjermane. Të gjitha informacionet në lidhje me aplikimin për vizë për leje qëndrimi në Gjermani mund të gjenden të përditësuara rregullisht në faqen zyrtare të Ambasadës Gjermane në Tiranë, edhe në gjuhën shqipe.

Në Shqipëri ka edhe qendra trajnimi profesional të posaçme. Një certifikatë e lëshuar prej tyre, a është garanci për të fituar vendin e punës?

Besoj e keni fjalën për mundësinë e një praktike profesionale, që është një procedurë me vete dhe që ndryshon nga aplikimi për një vend pune. Nëse përfundon me sukses një praktikë profesionale, mund të kesh një pikënisje të mirë për aplikimin për një vend pune. Garancia e vendit të punës varet nga aplikimi i suksesshëm dhe përmbushja e kushteve të sipërpërmendura.

Ajo që josh më shumë qytetarët janë edhe pagat e larta që ofrohen. Keni dijeni ju se sa variojnë pagat për profesionet që përmendët?

Pagat dhe kushtet e punës janë në përputhje me standardet e tregut gjerman të punës. Nuk mund të thuhen tarifa të sakta. /Panorama/