0Shares

Policia e Kosovës ka identifikuar 316 kosovarë, ndër ta dy sulmues vetëvrasës, 44 femra dhe 28 fëmijë të cilët kanë udhëtuar jashtë vendit për t’iu bashkuar ISIS-it, al-Nusra dhe Ahrar al-Sham.

Kështu u tha në lansimin e raportit vlerësues të perceptimeve mbi radikalizimin në nivel të komunitetit në Kosovë, i cili u përgatit me mbështetjen teknike të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni në fjalën e tij tha se Kosova ka shënuar të arritura të mëdha në luftën kundër ekstremizmit dhe se ky rezultat vjen edhe si rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë me organizatat e huaja e në veçanti UNDP-në.

“Nuk është rastësisht që unë e kam pas vendos si top prioritet në agjendën time luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, si dhe kthimin e atyre vlerave të Kosovës dhe qytetarëve të saj të cilat janë me të vërtetë karakteristikë e këtij vendi dhe këtij populli….Ne e duam një Kosovë siç është, multikulturore, multietnike, multikonfeksionale… Këto janë pasuritë e Kosovës që me çdo kusht duhet t’i ruajmë”, tha ai.

Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Kosovë, Alessandra Roccasalvo u shpreh se një çështje e rëndësishme është integrimi në shoqëri i atyre që kthehen në Kosovë pas ikjes për veprime radikale.

“Sa i përket riintegrimit, kjo për UNDP-në dhe për Kosovën është një gjë e rëndësishme. Ju mund të parandaloni ikjet, të bëni punë sociale, të bëni avokim publik por çfarë bëni me njerëzit të cilët kthehen? Në këtë studim, 63%  e të anketuarve thonë se do të ndiheshin në rrezik dhe jo të sigurt dhe do të hezitonin të socializoheshin. Pra, këto janë rastet të cilat i kemi parë në Kosovë. Kur njerëzit kthehen në Kosovë ata mundohen që të socializohen por askush nuk i do ata”, u shpreh ajo.

Në këtë prezantim u konstatua se parandalimi i radikalizmit është sfida më e madhe dhe ajo çka duhet të bëhet në bashkëpunim të të gjithë akterëve së bashku.

Përfaqësuesja e UNDP-së tha se edukimi i të rinjve ka rëndësi prioritare.

“Nuk është një çështje vetëm e ministrisë, policisë apo rendit të ligjit, është një çështje se si ne i edukojmë të rinjtë dhe Kosova ka shumë njerëz të ri. Kjo ka shumë rëndësi, pasi që çdo përmirësim i kualitetit që ne bëjmë sa i përket edukimit do të ketë efekt pozitiv”, shtoi ajo.

Ndryshe, ky hulumtim synon të vlerësojë perceptimet e radikalizmit në nivel të komuniteteve në mbarë Kosovën, rolin e perceptuar të individëve, institucioneve, udhëheqësve, si dhe rolin e perceptuar të ndikimit nga mediat dhe interneti.

Të Ngjajshme

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi. Ju lutem lexoni rregullat këtu.

Shfaq Komentet (0)