LAJMI I FUNDIT:

18 vjet nga Masakra e Dubravës: Ngufatja e të vërtetës

18 vjet nga Masakra e Dubravës: Ngufatja e të vërtetës

Besim Zymberi

Nëse i referohemi përmbajtjes dhe cilësimeve që definojnë krimin e gjenocidit si qëllim dhe mënyrë realizimi, gjithnjë sipas Konventës Ndërkombëtare për Parandalim dhe Dënim të Krimit të Gjenocidit, edhe për juristin më të ngathët në botë, objekti i Masakrës së Dubravës, pashmangshmërisht do të interpretohej dhe cilësohej me emrin e vetëm të mundshëm: Krim Gjenocidi, i projektuar dhe ekzekutuar nga hierarkia institucionale e shtetit serb, kundër shqiptarëve! Në gjykimin e munguar deri më sot të krimit kundër shqiptarëve në përgjithësi, por në Masakrën e Dubravës në veçanti, aktgjykimi i vetëm që do të mund të sillej, do të ishte-Krim Gjenocidi i projektuar, i urdhëruar dhe i ekzekutuar nga vet shteti serb!

Pse Burgu i Dubravës ishte objekti i parë publik i rindërtuar pas lufte?

Vendimi i UNMIK-ut, që objekti i parë publik që do të rindërtohej pas luftës së fundit në Kosovë, të ishte pikërisht Burgu i Dubravës, i shkatërruar totalisht gjatë periudhës së Masakrës kundër pengjeve të pambrojtura shqiptare, në periudhën 19-24 maj 1999, është dëshmia më e prekshme dhe më e tejdukshme e idesë tragjike të fshehjes së gjurmëve të një krimi të tmerrshëm gjenocidi, të ushtruar në zemër të Evropës, në fund të shekullit XX-të. Sa për kujtesë, ndërtimi i një burgu të ri nuk do të ishte më i kushtueshëm sesa rindërtimi i Burgut të Dubravës, mbi rrënojat që ruanin gjurmët e një krimi të gjenocidit shtetëror! Nëpërmjet rindërtimit të Burgut të Dubravës u tentua që të zbehej përmasa e trishtueshme e masakrës, të fshiheshin gjurmët materiale-dëshmitë dhe të jepej një mesazh shantazhues që shqiptarët të mos merren me pasojat e krimeve kundër tyre!

Si u fut masakra e Dubravës si objekt në aktakuzën kundër Millosheviqit?

Ishte e çuditshme që hetimi bazik i Tribunalit të Hagës, rreth pasojave të Masakrës së Dubravës, përfshirë edhe përgjegjësinë e pakundërshtueshme të shtetit serb në organizim e ekzekutim, kishte sjellë në përfundime të mosekzistimit të dëshmive të bollshme për paditje të Serbisë, madje as dhe të individëve – zyrtarë të lartë shtetërorë për ekzekutim të krimit. Hetimet bazike ishin kryer nga hetues të një shteti evropian, siç duket nën ndikim politik të kohës, të influencuar nga Serbia. Ndonëse ishin intervistuar rreth 165 të mbijetuar shqiptarë të Masakrës së Dubravës, futja e saj si objekt i veçantë në aktakuzën kundër Millosheviqit ishte bërë e mundur vetëm pasi që në mënyrë të njëanshme, hetues britanikë e amerikanë të Tribunalit të Hagës, kishin gjetur një serb, i dënuar për krime ordinere, i cili kishte pranuar se gjatë periudhës së Masakrës kishte qenë në Dubravë dhe nga autoritetet serbe ishte armatosur dhe kishte ekzekutuar disa nga shqiptarët e mbajtur peng aty!

Pse Masakra e Dubravës u hoq nga aktakuza kundër Millutinoviqit, Shainoviqit, Pavkoviqit etj., në procesin kundër tyre në Hagë?

Në gjykimin kundër ish-kryetarit të Serbisë, Milutinoviq, dhe bashkëpunëtorëve të tij, Shainoviq, Stoilkoviq, Pavkoviq e Stefanoviq, Trupi Gjykues i Tribunalit të Hagës kishte marrë vendimin poshtërues, të heqjes së objektit të Masakrës së Dubravës (bashkë me Masakrën e Reçakut dhe të Padalishtës) nga aktakuza dhe gjykimi i mëtutjeshëm, me arsyetimin qesharak juridik, por tragjik në prizmin e drejtësisë, të gjoja thjeshtimit të procesit. Një veprim i tillë motivohej nga kompromisi ndërkombëtar, që të pamundësohej dënimi i Serbisë për krim gjenocidi kundër shqiptarëve, që në tri lëndët e lartpërmendura mund të verifikohej më së lehti. Sa për kujtesë, Milutinoviqi, pas zbutjes së aktakuzës kundër tij, jo që ishte dënuar më pak, por ishte liruar fare nga përgjegjësia!

Sa është trajtuar deri më sot juridikisht e penalisht Masakra e Dubravës?

Në kuptim të trajtimit në një proces publik gjyqësor, Masakra e Dubravës është trajtuar vetëm në procesin e Hagës kundër Millosheviqit. Dihet se procesi kundër Millosheviqit mbeti i papërfunduar, për shkak që vdekjes së tij, siç është njoftuar zyrtarisht. Numri i dëshmitarëve, të mbijetuar në Masakrën e Dubravës, në procesin kundër Millosheviqit, ishte i vogël. Siç e shpjeguam më lart, hetuesit e parë të Tribunalit të Hagës, me gjasë francezë, nuk kishin pasur vullnetin (për shkak të ndikimeve politike të kohës) për trajtim të Masakrës së Dubravës në nivel gjyqësor, deri sa ishin inkuadruar në hetime edhe hetuesit britanikë e amerikanë, falë të të cilëve, kjo Masakër ishte bërë edhe pjesë e aktakuzës kundër Millosheviqit.

Por, edhe ajo prezencë e Masakrës së Dubravës në procesin kundër Millosheviqit, do të devalvohej fare dhe me turp, gjatë procesit kundër Milutinoviqit, Shainoviqit, Pavkoviçit etj., kur u hoq fare nga aktakuza, bashkë me Masakrën e Reçakut e të Padalishtës. Nuk do mend se trajtimi i Masakrës së Dubravës në një formë të tillë diskriminuese dhe injoruese, ka pasur për qëllim shpëtimin e shtetit serb nga përgjegjësia e pakundërshtueshme për krim gjenocidi, gjegjësisht, zbritjen e shkallës së përgjegjësisë për krime kundër shqiptarëve vetëm në nivel regjimor dhe individual.

Në vitin 2008 është bërë në Prokurorinë serbe një kallëzim penal kundër Aleksandër Rakoçeviqit, drejtor i Burgut të Dubravës në kohën e Masakrës dhe kundër shefit të Qendrës së Sigurimit të Pejës, të kohës së Masakrës së Dubravës. Ky kallëzim nuk ka ecur tutje në procedurë.

Në vitin 2010, Fondi për të Drejtën Humanitare, me Natasha Kandiqin në krye, ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Serbe të Krimeve të Luftës, kundër 34 zyrtarëve serbë të përfshirë në ekzekutim të pengjeve në Masakrën e Dubravës. Në kallëzim janë përfshirë: ish-ministri i Drejtësisë, Dragoljub Jankoviq, zëvendësi i tij i kohës, ndihmësi i tij i kohës, ish-drejtori i Burgut të Dubravës, Aleksandar Rakoçeviq, ish-komandanti i rojeve të Dubravës në kohën e Masakrës, Vidiq, ish-shefi i SDB-së në Pejë, Bora Vlahoviq dhe të tjerët zyrtarë policorë e oficerë të burgut.

Në prill të vitit 2012, Prokuroria serbe e Krimeve të Luftës ka shpallur zyrtarisht nisjen e hetimeve për Masakrën e Dubravës. Por, hetimet nuk janë filluar me emra të dyshuarish, por me dyshime për një vepër krimi, pa emra konkretë, ose me përgjegjës të panjohur. Janë intervistuar rreth 170 zyrtarë serbë të të gjitha niveleve, për të arritur tek një numër i të dyshimtëve prej 48 vetash. Është shumë indikative të thuhet se ish-ministri, Jankoviq, është intervistuar nga kjo Prokurori si një qytetar i rëndomtë e jo në statusin e ish zyrtarit të lartë shtetëror, që kishte juridikisht përgjegjësinë kryesore në menaxhimin e burgut gjatë periudhës së luftës. Qëllimi i prokurorisë serbe, ka qenë që të fshihet apo të zhvendoset përgjegjësia, nga kreu shtetëror serb, në një nivel të ulët të ekzekutuesve.

Në vitin 2013, edhe EULEX-i ka bërë të ditur zyrtarisht nisjen e hetimeve për Masakrën e Dubravës. Që nga atëherë, EULEX-i nuk ka dhënë as një të dhënë për rrjedhën e këtij procesi. Nuk ka të dhëna as për emrat e dyshuar si projektues, urdhërdhënës e ekzekutorë, as për emrat e të intervistuarve si dëshmitarë të mbijetuar dhe nuk ka të dhëna për asnjë përparim eventual të këtij procesi. Duhet shtuar që nisja e hetimeve nga EULEXI, duhet parë me shumë hezitim rreth qëllimit fundor, duke pasur parasysh faktin e nisjes shumë të vonshme të këtij procesi dhe rrjedhës aspak serioze të tij.

Në prokuroritë vendore, ka pasur kallëzim penal në Prokurorinë e Pejës, ndoshta dy sosh. Është e papranueshme që prokuroria vendore nuk ka shfaqur asnjë vullnet për zhvillimin e një procesi të tillë, madje shpeshherë duke deklaruar jo zyrtarisht se duhet të dëgjojë urdhrat e ndërkombëtarëve që të mos merret me asnjë rast që ka të bëjë me krimet serbe kundër shqiptarëve!?

As Prokuroria e Kosovës për krime të Luftës, e themeluar dy e më shumë vjet më parë, nuk ka dhënë as një sinjal që do të nisë hetime për krime lufte kundër shqiptarëve, jo vetëm për Masakrën e Dubravës, por as për ndonjë masakër tjetër në Kosovë.

Duket se ka një arsye të veçantë të ngufatjes së qëllimtë të të vërtetës së Masakrës së Dubravës. Qëllimi i parë është të shpëtohet Serbia nga përgjegjësia shtetërore e projektimit dhe ekzekutimit të Masakrës.

Një qëllim i tillë është ndihmuar tmerrësisht me mjete të turpshme politike e juridike. Zvarritja e kohës, është një prej mjeteve të përdorura. Zvarritja e kohës, bëhet me qëllim që të zbehet përmasa e tragjedisë së Dubravës. Pastaj, zvarritja e kohës bëhet që të zhduken plotësisht disa nga dëshmitë, që të vjetrohen disa prej dëshmive dhe që dëshmitarët eventualë të çorientohen në kohë, në mënyrë që cilësisht, dëshmitë e tyre të mos kenë besueshmërinë e duhur juridike. Esencialisht, ngufatja e të vërtetës së Masakrës së Dubravës, bëhet me qëllim që Serbia si shtet, të shpëtohet nga aktgjykimi i vetëm i mundshëm: përgjegjëse për krim gjenocidi!

Masakra e Dubravës, në kontekst të krimeve gjenocidare të kryera në Kosovë nga shteti serb, mbetet një prej veprave kriminale më së lehti të verifikushme e të cilësueshme si krim gjenocidi. Kosova, ka humbur shumë politikisht, diplomatikisht dhe moralisht, pikërisht nga mostrajtimi i përmasave dhe esencës së kësaj masakre. Kjo ka ndodhur si pasojë e shantazheve e presioneve jo parimore ndaj liderëve shqiptarë, që nga pas lufta e deri më sot. Po ashtu, edhe institucionet adekuate të Kosovës, nuk kanë treguar asnjëherë as një trohë vullneti që të trajtojnë një çështje kaq kapitale, jo vetëm të të shkuarës sonë, por edhe të së ardhmes.

Çfarë duhet të bëhet për trajtimin e drejtë të Masakrës së Dubravës?

Prokuroria e Kosovës për Krime Lufte, duhet të nisë procesin hetimor për Masakrën e Dubravës. Shumica e të mbijetuarve janë ende gjallë, por, ndonëse 17 vjet pas ngjarjes tragjike, lirisht mund të flasim për një moshë të tyre në ikje e sipër. Duhet të shfrytëzohet koha e fundit e mbledhjes cilësore të dëshmive esenciale nga të mbijetuarit e masakrës.

I paditur duhet të jetë vetë shteti serb, e kurrsesi vetëm një regjim i përkohshëm i tij, apo, aq më keq, individë më pak të rëndësishëm brenda atij regjimi.

Masakra e Dubravës, ka ndodhur në një objekt të menaxhuar nga shteti serb dhe gjithçka që ka ndodhur aty, është bërë me planifikim shtetëror. Është shumë lehtë të verifikohet se grumbullimi i pengjeve shqiptare në atë burg, në periudhën e luftës, ishte bërë në formë të projektuar dhe me qëllim të ekzekutimit kolektiv të tyre. Është shumë e lehtë, madje edhe për prokurorin a gjyqtarin më të dobët, që në Masakrën e Dubravës, të identifikohen shumë bindshëm, qëllimi dhe mënyra e realizimit të krimit, dy komponentë këta që pakundërshtueshëm çojnë në kualifikimin e krimit si – Krim Gjenocidi!

Hapi i dytë urgjent që duhet të ndërmerret nga institucionet shtetërore të Kosovës, Qeveria e Parlamenti, është që Burgu i Dubravës, të shpallet me ligj: Kamp i Instaluar i Përqendrimit për periudhën dhjetor 1998-24 maj 1999, me theks të veçantë për periudhën 24 mars 1999-24 maj 1999. Lehtë dhe bindshëm, mund të vërtetohen kushtet e mbajtjes (uria, tortura brutale, ekzekutimi) së shqiptarëve të pambrojtur në Kampin e Përqendrimit në Dubravë në periudhën e lartpërmendur, duke iu referuar dispozitave të konventave adekuate ndërkombëtare, që rregullojnë çështje të tilla. Kampe të instaluara ose të përkohshme përqendrimi, duhet të shpallen edhe burgjet tjera të Kosovës, si dhe të gjitha hapësirat tjera civile, religjioze e ekonomike, të cilat, nga shteti serb, janë shfrytëzuar gjatë luftës për arrestim, torturim, deportim e likuidim masovik të shqiptarëve.

Hapi i tretë i institucioneve shtetërore do të ishte shndërrimi, së paku i një pjese të ambienteve të Burgut të sotëm të Dubravës, në një Muze Gjenocidi. Pjesa e fushës së sportit, ku ishte bërë rreshtimi i pengjeve shqiptare për ekzekutim, përfshirë edhe dy objekte aktuale së paku, do të mund të shndërroheshin në një ambient të veçantë përkujtues që do të quhej si Muze i Gjenocidit. Vetëm të përkujtojmë që po të ishin shkatërruar totalisht kampet si: Aushvic, Dahau, Belen Berger etj., zor se do të mund të flisnim për një përmasë të një gjenocidi gjatë LDB-së kundër hebrenjve kryesisht, por edhe kundër popujve tjerë, çfarë e njohim sot.

Hapi i katërt, do të duhej të ishte një lobim që Masakra e Dubravës të ekranizohet në një spektakël artistik apo dokumentar holivudian. Bota nuk ka arritur ta marrë vesh fytyrën e Serbisë ndaj shqiptarëve dhe ndaj njerëzores në përgjithësi. Në të vërtetë, deri sa nuk ndriçohet Masakra e Dubravës në përmasën dhe thellësinë e saj të vërtetë, bota nuk do ta marrë vesh kurrë esencialisht se cila ishte në të vërtetë fytyra e shtetit serb dhe cili ishte qëllim final i tij!

(Autori është i mbijetuar i Masakrës së Dubravës)

Në trend

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Botë
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Evropa
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Kalo në kategori