LAJMI I FUNDIT:

17 vjet të “Volkswagen Baki Automobile” në Kosovë

17 vjet të “Volkswagen Baki Automobile” në Kosovë

Brenda ambienteve të saj, lehtësisht e ndjenë kulturën gjermane të punës. Saktësi, korrektësi, profesionalizëm dhe mbi të gjitha përkushtim për të qëndruar në majat e vlerave që përfaqëson.

Është kjo shtëpia “Baki Automobile -Volkswagen”, që lirisht mund të quhet një copëz e Gjermanisë në Kosovë.


“Baki Automobile-Volkswagen”, këto ditë ka shënuar 17 vjetorin e funksionimit të saj në Kosovë.

Menjëherë pas përfundimit të luftës, pronari i saj Baki Abdullahu, i shkolluar dhe specializuar në Gjermani në ofrimin e shërbimeve të automobilizmit, guxoi të kthehej për të investuar në Kosovë.

Bashkë me familjarët e tij, me entuziazëm filluan punën si përfaqësues të autorizuar të veturave të Volkswagen në Kosovë.

E nisën me 1999, atëherë kur ishin vetëm 12 punëtorë që operonin në një hapësirë prej 550 metrave katrorë.

Kishin investuar që shërbimet t’i ofronin në një infrastrukturë moderne të kohës.

Porse 17 vjet më vonë, “Baki Automobile” ecën me kohën dhe trendet e fundit që ofron Vokswageni gjerman dhe sot në këtë ndërmarrje shembull të suksesit, janë të angazhuar 90 të punësuar dhe shërbimet e tyre i kryejnë në një hapësirë shumë moderne prej mbi 2,800 metrave katrorë, gjithmonë duke iu përmbajtur kritereve më strikte të përcaktuara nga Volkswagen.

Duke qenë të përpiktë në shërbimet që ofrojnë, “Baki Automobile-Volkswagen ”, ka shitur mbi 4.000 dhe servisuar mbi 75,000 vetura Volkswagen në tërë territorin e Kosovës.

Blerës të veturave të markës së njohur gjermane në mbarë botën, janë edhe institucione të shumta të vendit tonë.

Pos, investimeve të shumta dhe rritjes së të punësuarve “Baki Automobile- Volkswagen”, në vazhdimësi ka ndihmuar aktivitete sportive, aktivitete humane dhe arsimin, gjithmonë duke mbështetur rininë dhe të ardhmen e Kosovës.

Shumica e stafit të Autoshtëpisë “Baki Automobile-Volkswagen ” janë të shkolluar dhe specializuar në shkollat dhe Institutet profesionale në Gjermani, për shitjen dhe servisimin e veturave të Volkswagenit.

Kjo praktikë e avansimit profesional, vazhdon edhe më tej, pasi për çdo vit stafi vijon trajnime plotësuese në Gjermani në mënyrë që të përcillet avancimi i teknikës dhe elektronikës së aplikuar në modelet e reja të Volkswagenit.

Në “Baki Automoblie- Volkswagen ”, puna kryhet vetëm me pjesë origjinale dhe me garancion të ofrimit të shërbimeve.

Si Autoshtëpi e autorizuar po ashtu pranojnë garancionin e çdo veture të Volkswagen të shitur kudo në botë.

Si rrjedhojë e përkushtimit, seriozitetit të kalitur, “Baki Automobile – Volkswagen” në vitin 2006 është shpërblyer nga Volkswagen me medaljen e Artë për Shitje dhe Servisim të Automjeteve.

Në vitin 2008 “Baki Automobile-Volkswagen”, është zhvendosur në objektin e ri në rrugën Prishtinë- Ferizaj sipas standardëve të fundit të Volkswagen-it.

Pjesë përbërëse e objektit modern, janë Showroom, Servisi dhe Njësia për Riparim dhe Ngjyrosje të veturave të dëmtuara.

Në depot mbi 500 metra katrorë, të kësaj ndërmarrjeje model në vend, janë në dispozicion mbi 15.000 pjesë rezervë origjinale të Volskwagen që ndihmon në shërbimet e shpejta dhe cilësore për klientët.

Me rastin e shënimit të 17 vjetorit të punës së “Baki Automobile- Volkswagen ”, në ambientet e saj, ishin të pranishëm mbi 570 mysafirë, në mesin e tyre zëvendësambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Christina Gehlsen, përfaqesuesi i Volkswagen, Martin Wienerreuther, Management Officer U.S. Ambasada Prishtinë, Michael Greer, drejtues të Odës Ekonomike Gjermano Kosovare, të Odës Ekonomike të Kosovës, deputetë, ministra e zëvendësministra dhe Klientët e Baki Automobile – Volkswagen. /Telegrafi/