LAJMI I FUNDIT:

121 familje nga Rakoshi përfitojnë nga investimet e KEDS-it

121 familje nga Rakoshi përfitojnë nga investimet e KEDS-it

Një projekt serioz investiv që është bërë nga KEDS në Istog, nga ndikuar dukshëm pozitivisht edhe në jetën dhe punën e ekonomive kryesisht familjare në fshatin Rakosh të kësaj ane.

Rakoshi, fshat i njohur për kultivimin e pemëtarisë është përfitues i investimeve të KEDS-it, gjithnjë me normat e standardeve të larta evropiane, e që drejtpërdrejt kanë ndikuar në përmirësimin e kualitetit të energjisë, tensionin stabil dhe rënien në masë të madhe të humbjeve në këtë anë.

Lehtësirat nga investimi i shohin dukshëm banorët dhe institucionet lokale të komunës së Istogut. Hakim Jahaj, nga kjo anë thotë se projekti i KEDS-it që ka zgjatur në disa faza, tashmë po i jap efektet pozitive.

“Thënë të drejtën kur punët kanë filluar, shumë kush pak e ka besuar se po bëhet diçka serioze. Kjo nga fakti se ky fshat asnjëherë nuk ka pasur mbështetje nga ndonjë institucion ose organizatë nga niveli qendror, përpos nga komuna. Por, kur KEDS dërgojë operatorët në terren atëherë u pa se po bëhet diçka. Kjo ishte gjëja e parë. Tjetra që mund të them është se investimi ka dhënë efekte dukshëm edhe tek shtëpitë tona, konkretisht tek amvisëritë, pastaj ekonomitë në përgjithësi. Këtu në të kaluarën kemi pasur tension me të cilin as stabilishmentet më elementare nuk kanë funksionuar, si TV, frikot e kështu” shprehet Jahaj.

Zëdhënëse e komunës së Istogut, Jeta Balaj konfirmon bashkëpunimin e mirë të KEDS-it me komunën edhe në këtë projekt.

“Gjatë vitit 2015, sidomos 2016, KEDS-i ka sjellë investime te shumta në komunën tonë. Investime janë bërë në shume fshatra rreth. Projekte të tilla si ai në fshatin Rakosh i cili ka përmirësuar furnizimin stabil e kualitativ me energji janë shembuj të punës që kjo kompani po e bënë. Rakoshi normalisht që meriton investime të tilla” , thotë zëdhënësja Bala.

Se investimi në fshatin Rakosh ka qenë madhor, e konfirmon edhe KEDS.
“Dy Trafo, njëra me fuqi 400 kVA dhe tjetra me fuqi 100 kVA, 43 shtylla betoni për tension të mesëm, 110 shtylla betoni për tension të ulët dhe 7 mijë metra kabllo ajrore për tension të ulët janë pjesë e pakos investive që i kanë takuar fshatit Rakosh, në kuadër të investimeve të kompanisë tonë, të cilat po shtrihen në tërë Kosovën” , thuhet në përgjigjen e KEDS-it rreth investimeve në këtë projekt.

Vetëm në fshatin Rakosh, nga investimet e KEDS-it drejtpërdrejt kanë përfituar 121 ekonomi familjare. /Telegrafi/